Arsyet pse Shqipërisë i nevojitet një model i ri ekonomik

KOSTA BARKA kosta-barka

Advertisements

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, nisur nga raporti i fundit i “EuCham”, që e rendit Shqipërinë ndër tri vendet e fundit në BE për të bërë biznes, ka deklaruar se në Shqipëri do të duhet të ndërtohet një model i ri ekonomik, me ndërtimin e një strategjie kombëtare të zhvillimit ekonomik të vendit, që duhet të mbështetet në rritjen e produktivitetit të faktorëve të prodhimit në të gjithë sektorët e ekonomisë, në taksat e ulëta, përfshirë taksimin e sheshtë 9 %, mbështetjen për sipërmarrjet dhe stimulimin për bizneset që hapin vende pune.

SHQIPËRISË I NEVOJITET NJË MODEL I RI EKONOMIK

Advertisements

Si ish-ministër i Punëve dhe Çështjeve Sociale, si njohës i tranzicioneve të shumëfishta që na kanë detyruar të shqyrtojmë mjaft strategji, e shikoj si të natyrshëm e potencial këtë argumentim të liderit të opozitës, pasi ka ardhur koha që në Shqipëri, pas tërmeteve e cunameve katastrofike të qeverisjes Rama, të rishqyrtohen strategji të reja, të ripërcaktohen mjaft koncepte fondamentale, me një fjalë të rishikohen dhe të përshtaten udhët e zhvillimit, që edhe bota shqiptare të lëvizë e sigurt drejt Perëndimit.

Shqipërisë i nevojitet një model i ri ekonomik, i cili duhet të jetë i përafërt me modelin e vendeve të rajonit, ose më gjerë. Pasi duke qenë pjesë e procesit të integrimit europian, mjaft aspekte janë fiksuar dhe rakorduar nga udhëzimet dhe direktivat e BE-së.

Në të vërtetë nuk duhet të vrasim mendjen shumë për modelime ekonomike sesa ta vrasim për strategji dhe plane pune më konkrete dhe afatshkurtra, gjë që dy qeveritë Rama nuk e bënë kurrë. Pra, duhet të lëvizim nga planet afatshkurtra në afatmesme dhe me plane konkrete, me piketa të matshme dhe të arritshme.

Sfida është e vështirë, pasi në Shqipëri nuk kemi ende një administratë publike të përgjegjshme, të aftë dhe të depolitizuar, që konsiderohet si timoniere e zbatimit të modeleve në secilën prej fushave. Administrata që instaloi Rilindja përbëhet ende nga individë, të cilët publiken nuk e vendosin gjithmonë mbi personalen, duke rendur pas paligjshmërisë dhe korrupsionit.

Kësisoj ka dështuar kryekëput plani qeverisës, për të cilin qeveritarët socialistë morën votat nga qytetarët. Ata që qeverisin, paradoksalisht, rikërkojnë përsëri votën për një mandat të tretë, pa shpjeguar një herë publikisht se përse nuk kanë plotësuar dhe mbajtur premtimet, qofshin këto afatshkurtra ose afatmesme.

NJË SHANS PËR EKONOMINË KOMBËTARE

Rishikimi i modelit të sotëm ekonomik, duke çmontuar modelin “rilindës”, me shumë propagandë dhe pak rentabilitet dhe efektshmëri, duhet parë si një shans për ekonominë kombëtare, pasi modeli ekzistues është totalisht i dështuar.

Qëllimi kryesor i modelit të ri është ndëshkimi i korrupsionit dhe allishverisheve nëpërmjet tenderëve dhe PPP-ve, garantimi i transformimit nga një ekonomi në zhvillim në një ekonomi të zhvilluar.

Për të arritur këtë objektiv elektoral të opozitës demokratike, pikësëpari duhet bërë diagnostifikimi ekonomik, një skaner real i ekonomisë dhe jetës sociale, për të parë se cilat janë sëmundjet reale, nga e cila lëngon shoqëria shqiptare dhe është bllokuar tregu i lirë.

Modeli ekonomik që është ndjekur këto 7 vite u ka shërbyer vetëm oligarkëve dhe klientëve të qeverisë. Ky model i përçudnuar nuk ka prodhuar mirëqenie, por ka sjellë pabarazi dhe një hendek të madh social.

KUSH DUHET TË QËNDROJË NË THELB TË MODELIT TË RI

Është shumë e rëndësishme që modeli i ri ekonomik që ofron qeverisja e afërt e Partisë Demokratike, të gjejë një rrugë të shkurtër për avancimin e ekonomisë dhe jo të ndjekë rrugën e gjatë tradicionale.

Kjo lidhet pikësëpari me temën e funksionalitetit të shtetit dhe demokracisë, pa të cilat nuk mund të funksionojë tregu i lirë.

Qeverisja e Rilindjes ka konturuar një regjim kleptokratik dhe autoritar, që ka kolapsuar ekonominë dhe ka çuar drejt falimentimit masiv bizneset. Është absurde që Shqipëria sot renditet me Bosnjën në mundësitë dhe klimën për të bërë biznes, duke zeruar të gjithë progresin e arritur nga ish-qeverisja e PD-së. Vendi po përballet me një krizë ekonomike që po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Në vitet e sundimit të Ramës, arritjet në nivelin makro kanë pasur vështirësi të përkthehen në përfitime të prekshme për qytetarët. Të rinjtë shqiptarë, dhe jo vetëm të rinjtë, por edhe intelektualë e specialistë, vazhdojnë ta konsiderojnë emigracionin si një opsion për ndërtimin e të ardhmes së tyre. Organizata e Kombeve të Bashkuara, në statistikat e saj për Divizionin e Popullsisë, vlerëson se 615 mijë shqiptarë janë gati të largohen nga vendi dhe veç 1.2 milionë persona që janë larguar nga viti 1990 deri në 2020-n.

Arsyeja është e qartë. Kriza e besimit dhe bjerrja e shpresës për të ardhmen. Korrupsioni endemik, mungesa dhe pabarazia në sundimin e ligjit. Politikat sociale dhe ekonomike duket sikur thjesht tjerrin një sens pa fund trazicioni dhe besimi në qeveri vazhdon të jetë i mangët. Kjo ka krijuar një rreth të mbyllur, vrasje apokaliptike të shpresës.

Merreni me mend se sa e aftë do të jetë qeveria Rama në ikje të përballojë dallgët e krizës globale dhe rajonale. Se sa në gjendje mund të jetë një qeveri dhe një shtet i dështuar, për të bërë të mundur të funksionojë demokracia dhe tregu i lirë në Shqipëri, për të mbajtur gjallë një sistem mundësues për një shoqëri me prosperitet.

MODELI I RI, PËRFUNDIMI I TRANZICIONIT

Karvani i Ramës po ecën në një udhë pa drejtim, që nuk është as rruga e Skënderbeut, as e Ismail Qemalit, të cilët ai përpiqet t’i imitojë në look.

Prandaj duhet një përpjekje e re e shoqërisë shqiptare për të përqafuar alternativën më të mirë qeverisëse, që garanton përparësi ekonomike e sociale dhe përmbush plotësisht nevojat e zhvillimit.

Duhet urgjentisht të instalohet modeli që ofron PD dhe kryetari Basha, ku lidhjet politike dhe përkatësitë partiake të mos pengojnë krijimin e institucioneve funksionale dhe gjithëpërfshirëse. Shteti duhet të rifitojë respektin e qytetarëve dhe ky argument shkon përtej politikave të majta apo të djathta. Të gjitha sondazhet e publikuara tregojnë se qytetarët nuk po tregojnë që kanë besim dhe pritshmëri te shteti dhe qeveria socialiste për sigurimin e të mirave publike në një mënyrë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Funksionaliteti i qeverisjes së Rilindjes përmban një ngarkesë politike mjaft të dyshimtë dhe të komprometuar.

Vetëm me qeverisjen e re dhe modelin e ri ekonomik që ofron opozita, mund të përfundojë tranzicioni në Shqipëri kur udhëheqja politike dhe ekonomike të çmontojë institucionet jofunksionale, klienteliste dhe korruptive, ku të ndërveprojë hapur dhe në mënyrë transparente shteti dhe shoqëria. Në axhendën qeverisëse të PD-së mbizotëron sundimi i ligjit, liritë politike, institucionet gjithëpërfshirëse dhe reduktimi i korrupsionit, si çështje qeverisjeje që mund të garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm.

Një shtet funksional ofron perspektivë për një zhvillim njerëzor dhe të qëndrueshëm, me premisa social-kulturore dhe ekonomike të qarta, që frymëzojnë shpresë dhe sjellin prosperitet, gjë që do të jetë i nevojshëm për axhendën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakShqipëria rekord, çmimet e ushqimeve më të shtrenjtat në rajon
Artikulli tjetërFrymëzuese, si shqiptarja shpëtoi një grua me një rrip pantallonash