Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin sinjale nga dita në ditë se reforma në drejtësi për ta është kyçe dhe nuk ka kthim pas. Edhe pse janë të shumtë ata që e sulmojnë dhe duan rrëzimin e saj, faktet tregojnë se kjo reformë është në duart e SHBA dhe kushdo që ka futur në xhep paratë e qytetarëve duhet të mendojë për pasojat. Një ditë më parë gazeta tregoi 3 teknikat që po përdor Uashingtoni për bllokime vizash, ndërsa sot po tregojmë se një pjesë e madhe atyre që nuk e kalojnë Atlantikun janë njerëz të drejtësisë. Dje Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin e shkarkimit për Fatmira Hajdarin. Në vendim theksohet se kësaj të fundit i është revokuar viza nga ambasada e SHBA. Por ajo që bie në sy në argumentet që ka dhënë vetë Hajdari dhe KPK, është se SHBA ka bllokuar edhe vizat e gjyqtarëve që sapo i kishin marrë. Nga ana tjetër në vendim bie në sy fakti se ambasada ja u ka bërë të qartë gjyqtarëve dhe prokurorëve se derisa të mbarojë procesi i vetingut për ta nuk do të ketë vizë. “Subjekti sqaron se, fillimisht, nëpërmjet një telefonate nga Ambasada e SHBA-së i kanë kërkuar të paraqitej pas janarit të vitit 2017. Në momentin që është paraqitur në ambasadë i kanë mbajtur pasaportën. Gjithashtu, subjekti shprehet se pas disa ditëve e kanë kontaktuar sërish dhe e kanë njoftuar që të paraqitej për tërheqjen e pasaportës, për të cilën i komunikuan se kanë proceduar me revokimin e vizës amerikane B1/B2, duke iu drejtuar me fjalët: ‘Ju bëjmë me dije se viza juaj është revokuar për arsye se jeni në proces Vettingu deri në përfundim të këtij procesi’”, thuhet në vendim. Në vitin 2017 ambasada njoftoi se kishte bllokuar vizat për 23 gjyqtarë e prokurorë. Mësohet se më pas ka pasur shumë të tjerë që janë refuzuar, ndërkohë që u është bërë e qartë se derisa të dalin në veting nuk do u lejohet udhëtimi në SHBA, si duket nga frika se emrat në fjalë mund të tentojnë të largohen për t’i shpëtuar drejtësisë.
Advertisements
Lista e zezë e amerikanëve
Nëse shohim me kujdes vendimet e KPK të dhëna deri më sot, bie në sy se amerikanët kanë një listë të zezë me gjyqtarët dhe prokurorët. Gazeta ka analizuar gjithë vendimet dhe rezulton se të gjithë ata që kanë pasur revokim vize nga ambasada kanë ngelur në veting. Nëse i marrim me radhë, kemi ish-anëtarët e Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri dhe Eugen Beci. Që të dy u shkarkuan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke dalë kështu për 15 vjet jashtë sistemit të drejtësisë. Por e përbashkëta mes tyre ishte fakti se si Hasnezirit, ashtu edhe Becit, Amerika iu ka revokuar vizat. Gjatë seancës dëgjimore për Luan Hasnezirin, KPK vuri në dukje se në kriterin e figurës pas një hetimi nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, ai nuk kishte deklaruar refuzimin e një vize nga ambasada e SHBA në Tiranë. Për shkak të këtij mosdeklarimi DSIK e kishte cilësuar gjyqtarin të papërshtatshëm. E njëjta gjë vlen edhe për Eugen Becin. Edhe prokurori i Krimeve të Rënda nuk e kishte deklaruar revokimin e vizës dhe për këtë arsye Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e kishte shpallur të papërshtatshëm.
Advertisements
Emrat e tjerë
Nëse shihet me kujdes lista e emrave që kanë ngelur në veting, Hajdari, Beçi dhe Hasneziri nuk janë të vetmit që janë të padëshirueshëm në SHBA dhe që janë shkarkuar nga vetingu në të njëjtën kohë. Një tjetër emër është edhe ish-prokurorja Rovena Gashi. Ajo u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për shkak të problemeve me pasurinë, por Gashi është edhe pjesë e listës me gjyqtarët dhe prokurorët që SHBA iu bllokoi vizat në 2016. Pjesë e kësaj liste kanë qenë edhe ish-gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Artan Broci dhe Shkëlzen Selimi. Edhe këta dy emra kanë ngelur në veting dhe po ashtu ambasada e SHBA ju ka refuzuar vizat. Një emër tjetër është Artan Lazaj. Ai ngeli në veting dhe po ashtu nuk mund të shkelë në SHBA. Pjesë e listës është dhe ish-gjyqtari i Kushtetueses, Gani Dizdari. KPK e gjeti atë me probleme dhe e shkarkoi, ndërkohë që dhe SHBA e kishte futur në listën e zezë. Nga ana tjetër, ka edhe nga ata gjyqtarë e prokurorë që Amerika iu bllokoi vizat dhe për të shmangur procesin e vetingut, u dorëhoqën. Midis tyre mund të përmendim ish-gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana, ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla apo edhe ish-prokurorin e Tiranës, Petrit Fusha.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!