Nga origjina e koronavirusit, tek shkollat, vaksinat dhe ajo çfarë na pret, flet profesori italian

Si ka filluar gjithçka? Si është menaxhuar emergjenca? Do vijë shpejt vaksina? Si të lëvizet në frontin e hapjes së shkollave? Profesor Andrea Crisanti, Drejtor i Departamentit të Mjeksësisë Molekulare dhe Profesor i Epidemiologjisë e Virologjisë pranë Ndërmarrjes Spitalore të Universitetit të Padovas bën përmbledhjen e gjendjes aktuale të pandemisë, duke ripërshkuar çfarë ka ndodhur muajt e kaluar, kur emergjenca ishte në kulmin e saj, dhe duke hipotezuar disa skenarë të ardhshëm.

Advertisements

Origjina e pandemisë

Profesor Crisanti, në intervista të shumta ju me të drejtë jeni ngritur dyshime të rëndësishme dhe serioze lidhur me origjinën e virusit e mbi të dhënat e komunikuara nga Kina dhe, për pasojë, mni mënyrën sesi OBSH-ja i ka marrë në mënyrë paksa si shumë akritike. Çfarë dimë sot për origjinën e virusit? Dhe cilat janë zonat e errëta që do të duhej të eksploroheshin?

Advertisements

Që ky virus është me origjinë shtazore nuk ka pikë dyshimi. Ka mundësi është një virus që e ka origjinën nga lakuriqët e natës, ndoshta nëpërmjet një ndërmjetësi si pangolini dhe që ka kaluar tek njeriu nëpërmjet një serie mutacionesh që ia kanë mundësuar transmetimin […]. Fillimisht kishte shumë zona të errëta. Ka të ngjarë që epidemia të ketë filluar në Kinë nga fillimi i tetorit dhe vetëm në mesin e janarit OBSH-ja e ka konfirmuar se transmetohej nga njeriu tek njeriu, kur në fakt Tajvani e kishte bërë të njëjtin njoftim më shumë se një muaj më parë. Ky është aspekti i parë problematik. I dyti është se qysh nga fillimi është nënvlerësuar kontributi i asimptomatikëve në transmetimin e infeksionit dhe, sipas mendimit tim, ky është problemi më serioz. Sikur të ishin dhënë informacione mbi kontributin e asimptomatikëve ndaj infeksionit, ndoshta do të gjenim mënyrë sesi të pengonim që infeksioni të arrinte në vende të tjera.

Po jap një shembull: kemi përdorur në të gjithë aeroportet skanerin për temperaturën; kemi bllokuar fluturimet nga Kina – dhe tani duam të bëjmë të njëjtën gjë me fluturimet nga Shtetet e Bashkuara – ja, këto janë masa që kanë rezultuar krejtësisht të papërshtatshme, pasi janë njerëz që kanë bërë 15 – 18 orë udhëtim, kanë ardhur në Itali dhe kanë mundësuar përhapjen e infeksionit. Nuk besoj që një njeri i sëmurë të bëjë 15 orë fluturim, të marrë pjesë në një mbledhje, të darkojë jashtë dhe më pas të kthehet në Kinë. Këta njerëz janë bartës të shëndoshë apo bartës me një simptomatologji shumë të dobët. Sikur ta kishim ditur, ka mundësi që do të kishim implementuar masa për t’i identifikuar: jo vetëm matjen e temperaturës trupore, por gjurmimin e detyrueshëm ose, me ardhjen në Itali, detyrueshmërinë e vendndodhjes, por edhe tamponin. Duke vepruar kështu, me siguri që do ta kishim kuptuar impaktin që këto persona do të kishin pasur në përhapjen e sëmundjes.

Nëpërmjet hetimeve epidemiologjike në zhvillim kemi të qartë se kur ndodh infektimi i parë njerëzor dhe kur mund të ketë filluar vërtet transmetimi? Pasi dimë se rasti i parë në Wuhan është identifikuar në dhjetor, por ka hipoteza së virusi mund të ketë filluar shumë më përpara.

Siç e kam thënë, modele të ndryshme matematikore kanë demonstruar sesi virusi ka nisur të qarkullojë në Kinë në fillimet e tetorit, në mos më përpara. Nëqoftëse shikojmë kurbën e infektimeve që kinezët kanë ndarë me ne, shihet qartë se mungon pjesa eksponenciale. Në të gjitha vendet kjo kurbë fillon me këtë formë prej “i” greke, që është praktikisht pjesa eksponenciale dhe më pas vazhdon si këmbanë. Kinezët na kanë treguar vetëm pjesën finale të kurbës. Tani e dijmë me saktësi mënyrën e manifestimit dhe dinamikën e transmetimit të këtij virusi. Është e qartë se na mungojnë të paktën 3 – 4 muaj të dhëna; kinezët janë absolutisht jotransparentë dhe mendoj se OBSH-ja ka përgjegjësi. Kanë shkuar në Kinë në janar, duke kaluar atje një javë dhe nuk mund t’u shmangen këtyre përgjegjësive [që nuk i kanë komunikuar pjesës tjetër të botës atë që po ndodhte atje].

Studimi i Vò Euganeo

Vò Euganeo ka qenë një prej vendeve më të goditura në fillimin e epidemisë dhe grupi i Profesorit Crisanti ka kryer një studim epidemiologjik, unik në llojin e tij, që ka mundësuar të kihet një fotografi e përhapjes së virusit në vend. Gjatë investigimit, e gjitha popullata e Vò ka bërë tamponin, përpara de pas shpalljes së zonës së kuqe dhe në rrethana të ndryshme, me shtojcë testin sierologjik. Për të kryer një studim të tillë, ka qenë nevojë themelore pasja në dispozicion i instrumentave dhe materialeve të duhura. Profesor Crisanti, si e gjykoni ju mungesën e resurseve që është parë gjatë kësaj emergjence? Ka pasur dialog midis laboratorëve të ndryshë italianë lidhur me atë se cilat qenë praktikat më të mira për t’u adoptuar, si edhe me qeverinë qendrore për atë se cilat qenë resurset e nevojshme gjatë pandemisë?

E konsideroj normale këtë mungesë reagentësh. Siç edhe ka qenë para syve të të gjithëve, duhet të keni parasysh se epidemia është një ngjarje katastrofike që ka një dinamikë shumë të shpejtë dhe kohët e reagimit fatkeqësisht janë shume më të ngadalta se kohët e përhapjes. Për pasojë, në fillim krijohet një si boshllëk ndaj epidemisë në kuptimin e vërtetë të fjalës, sidomos nëse nuk je i përgatitur. Mendoj se ajo që ka ndodhur është normale. Problemi, nëse ka të tillë, është se çfarë ka ndodhur nga gjendja e emergjencës deri në fillim të marsit, pasi është në këtë fazë që do të duhej të krijohet kapaciteti reagues. Kjo nuk është bërë dhe në fakt i është besuar nivelit të përgatitjes së rajoneve të veçanta apo, brenda rajoneve, laboratorëve të veçantë.

Në rastin tonë qemë në një situatë të privilegjuar, pasi i yni është një prej laboratorëve referues për sëmundjet emergjente. Me përkufizim, sëmundjet emergjente janë sëmundje të të cilat dihet pak apo aspak, për të cilat nuk ka vaksinë, për të cilat nuk ekziston asnjë terapi. Kështu, në momentin në të cilin ka dalë sekuenca e parë e virusit, ne jemi përgatitur për të zhvilluar një test diagnostikues të bërë në shtëpi dhe më pas kemi vazhduar në këtë rrugë. Kështu që nuk na është dashur të mbështetemi mbi kapacitetin prodhues e indtsrive diagnostikues, që në Itali kanë hyrë 3 – 4 javë më pas. Sistemi [ynë] kërkon një manualitet të caktuar dhe ka nevojë për një instrumentim të dedikuar, por ka edhe një fleksibilitet shumë të madh, pasi nuk varet nga furnizuesi i reagentit. Pastaj ka edhe një komplikacion tjetër. Laboratorë të ndryshëm kanë përdorur furnizues të ndryshëm për aparatura të ndryshme që nuk janë të ndërkëmbyeshme dhe, për pasojë, në rast se mungonte një reagent, nuk mund të përdornin atë të një kompanie tjetër, tashmë qenë të lidhur me furnizuesin e zgjedhur.

Kjo ka krijuar shpërputhje të rënda, edhe pse ndërkohë epidemia ishte spostuar në vende të tjera dhe, për pasojë, ka pasur praktikisht një mungesë reagentësh. Gjithsesi ne, qysh nga fillimi i shkurtit, kemi miratuar një test dhe krijuar kapacitetin diagnostikues për të bërë dhjetëra e dhjetëra teste. Kështu, kur rajoni praktikisht ka shpallur zonën e kuqe për Vò dhe ka urdhëruar tamponin e parë, ne qemë gati. Më pas, dora dorës, kemi azhurnuar të gjitha instrumentat. Duhet të keni parasysh se unë kam shkuar në këtë strukturë 4 – 5 muaj më parë dhe ekzistonin instrumenta që qenë absolutisht të papërshtatshëm. Brenda shumë pak kohe kemi rinovuar të gjithë arsenalin e instrumentave, ende në kohë jo të dyshimta, domethënë kur ishte ende e mundur t’i blije.

Asimptomatikë, teste sierologjike dhe fëmijë

Në një intervistë më Radio3 Scienza, ju keni deklaruar se asimptomatikët nuk zhvillojnë antitrupa dhe, për pasojë, mund të infektohen sërish. E konfirmoni këtë pohim?

Ne kemi bërë një studim të tretë në Vo’ duke marrë gjakun e të gjithë popullatës me objektivin e studimit të përgjigjes ndaj antitrupave. Tani, ajo që kemi parë është se prej 189 personave që kishin rezultuar pozitiv ndaj tamponit më 22 shkurt, domethënë që qenë infektuar, vetëm 75% ka zhvilluar antitrupa dhe në përgjithësi i zhvillojnë vetëm ata që kanë qenë shumë keq. Nëse më pyesni sesa persona të infektuar në Vo’ kanë zhvilluar antitrupa të mjaftueshëm sa për t’u përzgjedhur për dhurimet e plazmës, do t’ju thoja ndoshta 10%. Natyrisht që mund të ketë diferenca mbi bazën e testeve që përdoret, pasi jo të gjitha testet janë njëlloj. Ne kemi përdorur një test mjaft të besueshëm, që veç të tjerash përdoret për të përzgjedhur donatorët e plazmës, e kemi përdorur në 3000 persona. Por gjëja interesante është se, kur kemi bërë sierombizotërimin, kemi gjetur në Vo’ 63 persona që kanë rezultuar gjithmonë negativ në tampon dhe kanë zhvilluar antitrupa: domethënë janë infektuar sigurisht përpara fundit të shkurtit. Janë infektuar dhe janë shëruar.

Asnjë prej këtyre personave nuk ka shkuar tek mjeku, asnjë nuk ka shkuar në spital: hajde më thoni se këta persona qenë rëndshëm simptomatikë apo jo. Ajo që mendoj është se që të arrijë të prodhojë raste të rënda ka mundësi që virusi ka nevojë për të arritur një prag të caktuar personash të infektuar brenda popullsisë për ta rritur ngarkesën virale. Ideja ime është se në këtë moment ne po përjetojmë bishtin e infeksionit, por praktikisht ky bisht i infeksionit është shumë i ngjashëm me fillimin e infeksionit. Në fillim të infeksionit kishte shumë asimptomatikë, përndryshe nuk do të kishte mundur të shpërthente me këtë forcë. Kemi edhe të dhënat. Tani dimë se në Vo’ kishte 160 persona të infektuar përpara se pacienti i parë të shtrohej në spital, pjesa më e madhe e të cilëve ndjehej mirë.

Sot është në zhvillim një hetim sierologjik i promovuar nga ISS-ja dhe ISTAT-i. Dy gjëra dalin: parasëgjithash një besim i ulët i popullsisë tek institucionet (për shembull, fakti i provuar i pritjes së gjatë për një tampom), që çon në mungesën e ndjenjës civile dhe, për më tepër, një mungesë informacioni, sidomos mbi vlerën diagnostikuese e tipologjive të ndryshme të testit. Nëpërmjet përvojës tuaj në Vo’, megjithëse e ndodhur në një periudhë epidemiologjike të ndryshme, si mendoni se ka reaguar popullsia? Dhe si janë paraqitur institucionet e ndryshme, por edhe komuniteti shkencor, në kërkimin ndihmë të gjithë popullsisë?

Kemi pasur një përvojë krejtësisht të kundërt. Ju bëj me dije se kampionimi i tretë, ai që parashikonte pastaj edhe marrjen e gjakut, është bërë në mesin e majit, jo përpara 4 majit, kur epidemia praktikisht ishte nënshtruar dhe parashikohej reduktimi i të gjitha kufizimeve të distancimit social. Njëkohësisht, në Vo’ nuk ka pasur raste për shumë kohë, kështu që nuk besoj se epidemia ka pasur impakt në zgjedhjen e njerëzve për të dhuruar dhe përkushtuar apo jo këtij hetimi. Ajo që ka vlerë është shpjegimi i qartë e transparent i atyre që janë objektivat. Në rast se gjërat shpjegohen mirë, njerëzit përgjigjen mirë dhe tregojnë ndjenjë civile.

Shiko, ne kemi patur një aderim prej 90% të popullsisë, me 85% të fëmijëve nën 10 vjeç. Nuk e di nëse e kupton… në rast se shpjegohet cilët janë objektivat, cilat janë procedurat, cilat janë afatet, cilët janë avantazhet për ta dhe për komunitetit është e qartë se njerëzit janë të motivuar. Pastaj është edhe komponenti i hetimit sierologjik i ndarë nga tamponi. Për ta shmangur këtë gjë kemi thënë «ti bëj analizën sierologjike, ne bëjmë tamponin». Në rregull? Pikërisht për të shmangur këtë problematikë që kush ishte pozitiv të qëndronte në karantinë. Ama nuk besoj se në rast se do pyesnit në Itali çdo njeri “normal” se për çfarë shërbente kjo analizë epidemiologjike do të dinte të përgjigjej. Nuk dinë të përgjigjen. Kemi hapur një linjë komunikimi me të gjithë komunitetin e Vo’: na kanë bërë pyetje, u jemi përgjigjur, kemi bërë video.

Kemi bërë një aksion kapilar bindjeje dhe shpjegimi. Edhe pse, kijeni parasysh, që kampionimi i tretë kërkonte edhe analizën gjenetike: njerëzit i kanë dhënë miratimin edhe sekuencimit të ADN-së, që është një gjë që nuk jepet aq kollaj. U kemi shpjeguar finalitetet, u kemi shpjeguar se nëse do të donin do të mund të kishin edhe profilin e tyre gjenetik, eventualisht me të gjitha asociimet dhe predispozicionet ndaj sëmundjeve gjenetike. Kemi bërë një gjë kapilare. Kështu bëhet. Nuk është se në një moment të caktuar njeriu miraton një edikt dhe thotë «nesër do të bëj 150000 teste». Nuk funksionon kështu [qesh]. Nuk më habit ajo që ka ndodhur, sepse ka qenë një dështim komunikimi dhe ndoshta ka mundësi edhe logjistik. Kemi pasur vërtet një manifestim besimi tek institucionet dhe tek shkenca që është saktësisht e kundërta e asaj që është parë në këtë studim epidemiologjik. Tani, nuk besoj që italianët e Vo’ janë të ndryshëm prej atyre në Padova dhe Roma: italianët janë njëlloj. Ajo që ka bërë diferencën është komunikimi, logjistika dhe fakti që ky test shoqërohej nga tamponi.

Shkollat

Në kuadër të rihapjeve, tashmë është rihapur thuajse kudo, por ende diskutohet për rihapjen e shkollave, bile pikërisht sot është në zhvillim protesta e mësuesve kundër vijave drejtuese të dhëna nga Ministria. Çfarë ka dalë nga studimet tuaja lidhur me ndjeshmërinë dhe infektueshmërinë e fëmijëve? Çfarë këshilloni ju për një rihapje të shkollave në siguri?

Përjashto faktin që fëmijët rastësisht edhe sëmuren dhe nuk dimë se pse disa sëmuren e disa jo, pjesa më e madhe e fëmijëve nuk sëmuren. Në Vo’, nga 250 fëmijë, nuk kemi gjetur as një rast të vetëm pozitiv në tampon. Për sa i përket analizës sireologjike, midis fëmijëve me moshë nga 0 deri në 11 vjeç, kemi gjetur 2 që kishin zhvilluar antitrupa. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se fëmijët, nëqoftëse infektohen, infektohen në mënyrë të përkohshme, e eliminojnë me shpejtësi virusi dhe shumë zhvillojnë antitrupa. Mesazhi është se nuk e kuptojmë pse fëmijët janë rezistentë, ama janë të tillë. Për këtë nuk ka dyshime. Dhe nëse nuk është virusi, do të thoja se as e transmetojnë. Kështu, në rast se u lejojmë njerëzve të shkojnë në fabrika, në rast se u lejojmë të shkojnë nëpër stadiume, në rast se u lejojmë të shkojnë në kinema, atëhere nuk e kuptoj se pse të mos i lejojmë fëmijët të shkojnë në shkollë. Aq më shumë që ata janë më rezistentë se të tjerët. Kjo për mua është një gjë e vështirë për t’u kuptuar.

Kjo është një pikë e rëndësishme: nuk është vetëm fakti që fëmijët, duke qenë të rinj, janë subjekte më pak të rrezikuar dhe, për pasojë, më pak të prekshëm, por kanë pikërisht një ngarkesë virale inferiore dhe, për pasojë, nuk janë as edhe vektorë transmetimi të virusit

Tek fëmijët nuk identifikohen viruse, domethënë nuk kanë ngarkesë virale të identifikueshme, kështu që në rast se kanë virus, nuk shoh sesi mund ta transmetojnë.

Situata epidemike në botë

Le ta hedhim vështrimin përtej kufijve italianë: në Itali dhe në Europë situata është padiskutim më e mirë se disa muaj më parë, por në botë kemi mbi 9.5 milion persona të infektuar nga fillimi i pandemisë, por mbi të gjitha koeficentin e rritjes së përditshme të infektimeve që është akoma në rritje. Më 4 maj, kur Italia e ka përfunduar lockdown, në botë kishte 70 – 80 mijë raste në ditë, sot jemi në 150000 dhe kemi arritur të prekim edhe 180000 raste ditore. Ju mendoni se kemi një dinamikë të përhapjes së këtij virusi të lidhur me faktorë klimaterikë, mjedisorë apo kemi vetëm një reagim ndaj masave frenuese të vendosura nga vendet e veçanta? Në Itali dhe në Europë po përjetojmë një situatë pozitive falë 2 muajve lockdown, por si ka mundësi që vende si Shtetet e Bashkuara po kanë këto shifra? Në fund të fundit, aty lockdown është vendosur pak pas vendeve europiane. Dhe a mund të ketë një sezonalitet të virusit?

Koeficenti i rritjes së rasteve ditore në botë është i frikshëm. Sigurisht që masat e distancimit social dhe karantina kanë një efekt shumë të rëndësishëm dhe tani po përfitojmë. Koronaviruset janë të gjithë të ndjeshëm ndaj temperaturës dhe ka mundësi që edhe ky koronavirus i ri nuk bën përjashtim: ka dëshmi të ndryshme që tregojnë sesi ky është rasti. Situata me temperaturë të lartë dhe lagështi të ulët nuk ia favorizojnë përhapjen dhe duket se lidhur me këtë komuniteti shkencor është dakord. Kështu që për momentin po përfitojmë nga dy situata të favorshme: efektet e lockdown dhe kushtet e favorshme klimaterike. Por, siç e thatë edhe ju, jemi ende në kulm të pandemisë: Europa është goditur nga virusi kur epidemia ishte e lokalizuar në Kinë dhe mbi bazën e të dhënave që na kishin thënë, flitej për 3000 – 4000 raste ditore, tani kemi 150 – 180 mijë, kështu që nuk do të thoja se rreziku është ulur. Nuk është ulur në terma rrisku importimi të virusit në Itali, por ka edhe një rrezik latent: ajo që ka ndodhur në Gjermani, me vatrën e thertores, nuk duhet nënvlerësuar. Aty qenë kushtet e favorshme për virusin: temperaturë e ulët, lagështi e lartë dhe mbipopullim. Janë këto ingredientët që favorizojnë shpërthimin e transmetimit.

Vd ekshmëria

Një temë tjetër shumë e debatuar është çështja e vdekshmërisë. Të dhënat në dorë, nëse është e vërtetë që infektimet po rriten, numri i të vdekurve në proporcion po zvogëlohet. Për këtë ka një debat të fortë: sipas disa ekspertëve të njohur, ka një rrezikshmëri më të pakët të virusit, ndërsa ju keni pohuar shpesh këto ditë se nuk është kështu. Apo i detyrohet faktit që mjekët kanë mësuar ta trajtojnë më mirë sëmundjen dhe ta numërojnë më mirë numrin e të infektuarve sesa në fillim. Cila është e vërteta?

Tregusi i vdekshmërisë varet nga dy faktorë: kapaciteti i bërjes së diagnozave dhe ngarkesa virale. Le të shohim rastin shembullor e Arabisë Saudite: ka 200000 raste dhe 1000 të vdekur. Arabia Saudita ka një sistem shëndetësor të dorës së parë, në gjendje të bëjë shumë diagnoza dhe njëherazi një klimë që nuk e favorizon transmetimin e një ngarkese virale të lartë. Ky është një ekstrem i situatës. Ekstremi tjetër është Lombardia me një sistem shëndetësor të dobët nga pikëpamja e diagnozës, në kushte klimaterike të pafavorshme – temperaturë e ulët dhe lagështi e lartë – dhe mbipopullim.

Çfarë na pret në të ardhmen

Përballë valëve të reja të mundshme në vjeshtë, në Itali jemi përgatitur që ta përballojmë situatën pa mbyllje të re, që askush nuk e uron, por duke e monitoruar situatën energjikisht, duke izoluar vatrat e reja, duke kuruar me efikasitet njerëzit pa përdorur terapitë? Domethënë, është e mundur të bashkëjetohet me këtë virus në muajt e ardhshëm pa arritur në masa drastike?

Askush nuk mund ta thotë. Sistemi shëndetësor italian është sigurisht më i përgatitur nga 3 muaj më parë, si nga pikëpamja e survejimit pasiv, ashtu edhe aktiv, domethënë në identifikimin e rasteve, të gjurmueshmërisë dhe në bërjen e tamponeve kontakteve. Por duhet të kemi parasysh se një vend si Gjermania që ka treguar aftësi të lartë në kontrollimin e epidemisë, është gjendur në situatën që të vendosë në karantinë 400000 njerëz. Skenari më i mundshëm, në rast se pandemia nuk kontrollohet, do të jetë ai i pasjes së vatrave në Kinë, Australi, Zelandë të Re. Sikur Italia të ishte përjashtim, do të kishim vatra që do ta vinin në presion sistemin shëndetësor dhe përgjigja që do të ishim në gjendje të jepnim do të varej sigurisht nga vrulli. Sa më pak do të ishim të vrullshëm, aq më shumë do të ishim të detyruar që realizonim masat e distancimit social, me mikrozona të kuq. Të mendosh që të vazhdosh tl bësht atë që bëjmë deri më tani teksa virusi përhapet është e pamendueshme, pasi nuk kemi sistem shëndetësor të tipit korean. Le të marrim shembullin e aplikacionit Immuni: nuk ka ngjitur. Do të duhej një sistem gjurmimi informatik mjaft efikas që nuk e kemi. Në alternativë, ekziston survejimi aktiv e pasiv dhe mbyllja eventuale e zonave ku ka transmetim.

Profesor, e mendoni të na jepni një parashikim lidhur me afatet e zhvillimit dhe shpërndarjes së një vaksine?

Besoj se kërkimi i vaksinës duhet inkurajuar me çdo mënyrë. Thënë këtë, është e ndershme t’u thuhet njerëzve se jo gjithmonë është mundur të zhvillohet një vaksinë, si në rastin e HIV-it, Hepatit C dhe malarjes. Me tuberkulozin kemi një vaksinë nënoptimale. Jo për të gjitha sëmundjet është e mundur të zhvillohet një vaksinë. Uroj që në këtë rast të jetë e mundur, pasi vaksina është mjeti kontrollues më i mirë në terma kostoje dhe efikasiteti. (nga faqja divulgative Coronavirus – Dati e analisi scientifiche)/ / bota.al

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakIsh-i dashuri i Viola Spiros në ‘rrjetën’ e SPAK, ja pasurite që i sekuestruan atij dhe familjarëve të tij
Artikulli tjetër‘Pse e shtyve dasmën?’, Armina zbulon se çfarë i prishi planet, detaji që tërhoqi vëmendjen në fundshpinën e saj nga plazhi