‘Në spitalet COVID ka më shumë të dyshuar se sa pacientë të diagnostikuar’/ Erion Dasho: Përse nuk përdoret testi i antitrupave?

Mjeku i njohur, Erion Dasho ka deklaruar se në spitalet COVID ka më shumë pacientë të dyshuar, se sa pacientë të diagnostikuar me koronavirus.

Advertisements

Sipas mjekut, nuk dihet nëse personat e dyshuar pas shërimit dhe daljes nga spitali e kanë kaluar apo jo COVID-in, që ka shumë rëndësi për strategjitë parandaluese në të ardhmen.

Ai thekson më tej se duhet të përdoret testi i antitrupave. “Në të dy rastet është e pakuptueshme se përse nuk përdoret testi i antitrupave i cili ka shumë gjasa të identifikojë antitrupa IgM duke nisur nga fundi i javës së parë të sëmundjes, atëherë kur edhe mendohet se mund të jetë negativizuar tamponi.”, shprehet ndër të tjera ai.
Postimi i plotë:

Advertisements

Është shqetësues fakti se në dy spitalet ku trajtohen pacientë të prekur nga COVID, ka më shumë pacientë “të dyshuar” me COVID se sa pacientë të diagnostikuar.

Një nga maksimat e para që na kanë mësuar profesorët në fakultet ka qënë se “pa diagnozë, nuk ka mjekim”. Kuptohet se paqartësia në vendosjen e diagnozës së COVID, e cënon procesin e përkujdesjes për shëndetin dhe jetën e pacientëve.

Përveç implikimeve për shëndetin e pacientëve, situata ka implikime edhe për shëndetin publik si në nivel individi, ashtu edhe në nivel popullate. Në nivel individi, nuk dihet në se, pas shërimit, këta persona e kanë kaluar apo jo COVID-in gjë që ka rëndësi për strategjitë parandaluese në të ardhmen.

Në nivel komuniteti apo popullate, njohja e statusit lidhur me COVID tek këta pacientë ka rëndësi për të vlerësuar përhapjen e COVID në popullatë dhe orientuar gjurmimin.

Shumë ekspertë jashtë qeverisë kanë fajësuar Ministrinë për cilësinë e dobët të testeve. Ata kanë argumentuar se testet me besueshmëri të ulët kanë sjellë në pikën kur testimi nxjerr më tepër fals negativë (persona të prekur nga COVID që testi nuk i identifikon dot) se sa realisht pozitivë (persona të prekur që testi i identifikon si të tillë).

Ditët e fundit kanë qarkulluar edhe idetë se pacientët janë paraqitur me shumë vonesë pranë spitaleve COVID, kur virusi ka “migruar” tashmë nga fyti (aty ku e identifikon testi i tamponit) drejt mushkërive.

Në të dy rastet është e pakuptueshme se përse nuk përdoret testi i antitrupave i cili ka shumë gjasa të identifikojë antitrupa IgM duke nisur nga fundi i javës së parë të sëmundjes, atëherë kur edhe mendohet se mund të jetë negativizuar tamponi.

ËSHTË KOHA QË TË MENDOHET SERIOZISHT PËR DIAGNOZËN E SAKTË DHE TË BESUESHME TË PACIENTËVE TË PREKUR OSE TË DYSHUAR SI TË PREKUR ME COVID. KJO JO VETËM NË DOBI TË TYRE, POR EDHE NË DOBI TË KOMUNITETIT DHE GJITHË POPULLSISË!

Ky reagim i mjekut vjen në një kohë, kur koronavirusi është përhapur gjerësisht në vendin tonë. Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe 125 raste të reja me COVID-19, dhe janë kryer 506 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19. Ndërkohë, ka humbur jetën edhe një tjetër paciente. Mosha mesatare e të infektuarve është 47-vjeç.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprak“Merreni seriozisht koronavirusin”/ Sho kon aktorja amerikane, publikon videon teksa i bien flokët
Artikulli tjetër“Dje zbulova se jam pozitiv”, ish-opinionisti i “Big Brother” inféktohet me korónavirus