Anija e parë e madhe krocere ka nisur lundrimin në Mesdhe, për të parën herë në pesë muaj nga qyteti i Xhenovas.
Advertisements
MSC Grandiosa do të ndalet në tre porte italiane dhe në kryeqytetin maltez, Valleta, në një udhëtim shtatë ditor. Operatori MSC Cruises, thotë se të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi janë testuar për koronavirusin para ngjitjes në bord. Kjo vjen ndërsa rastet e reja të koronavirusit po rriten në Itali, me më shumë se 600 të raportuara nga autoritetet dy ditë më parë. MSC Cruises thotë se krocera do të funksionojë me rreth 70 përqind të operacioneve të saj normale, me afërsisht 2500 pasagjerë në bord, për të respektuar protokollet e sigurisë.
Nisja e saj konsiderohet si hapi i parë drejt rinisjes së industrisë që gjeneron rreth 150 miliardë dollarë për ekonominë e botës.
Advertisements
Për Italinë e goditur rëndë nga koronavirusi, kjo është veçanërisht e rëndësishme. Ajo renditet e shtata për sa i takon vendeve që operojnë me krocera, me më shumë se 800 mijë pasagjerë në 2018. Javën e kaluar, qeveria italiane dha lejen që krocerat të rifillonin operacionet në vend nga 15 gushti. MSC Cruises, që operon MSC Grandiosa, do të nisë edhe një tjetër krocerë nga porti italian i barit më 29 gusht, por në anën tjetër ka pezulluar të gjitha udhëtimet në Mesdhe deri në mes të tetorit.
Industria e krocerave në botë ka pësuar humbje të mëdha financiare për shkak të pandemisë. Disa kompani madje janë kritikuar se kanë lënë mijëra pasagjerë të bllokuar në borde anijesh në Azi dhe SHBA në muajt e parë të pandemisë. Deri më 11 qershor, 3047 persona janë infektuar dhe 73 kanë humbur jetën në bordin e krocerave. Sidoqoftë, udhëtimi i MSC Grandiosa, përfaqëson një test të rëndësishëm për industrinë në mesin e shqetësimeve për sigurinë e pasagjerëve.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!