Nesër del para ‘Vetting-ut’, si është 18-fishuar pasuria e Gjyqtares Fatmira Hajdari nga viti 2003

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari do të përballet të hënën më 15 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut për Znj. Hajdari po kryhet nga trupa e përbërë nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja.

Advertisements

Fatmira Hajdari e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitet 2000 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës, funksion të cilin e mban edhe aktualisht.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Advertisements

Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtarja Hajdari deklaronte pasuri me vlerë prej 2.7 milionë lekësh, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare është rritur me 18 herë, duke kapur vlerën e 49.3 milionë lekësh.

Pasuria e paluajtshme përbën zërin kryesor të aseteve me vlerë 31.4 milionë lekë, ndërkohë që subjekti deklaron edhe 15.1 milionë lekë likujditete bankare, 2.4 milionë lekë pasuri të luajtshme dhe kursime në cash prej 300 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 95 milionë lekë. Pjesa kryesore e të ardhurave buron nga shitja e pasurive të patundshme në masën 31%, e ndjekur nga të ardhurat nga biznesi në masën 24% dhe të ardhurat nga qiradhënia 12%. Paga nga funksioni i gjyqtares zë 14% në totalin e të ardhurave, ndërsa pagat e fëmijëve 7%.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit të Znj. Hajdari rezultoi me 5 deklarata me probleme.

Subjekti Fatmira Hajdari rezulton me pasuri të pajustifikuar nga burimet e deklaruara në 5 vite të deklarimit në një shumë prej 12.5 milionë lekësh.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” gabimet e shumta materiale në deklarimet vjetore, kreditë bankare në vlera të konsiderueshme si dhe një kontratë sipërmarrjeje për ndërtimin e një pallati 10-katësh në Tiranë.

Konkretisht, në deklaratat e pasurisë rezultojnë gabime të shpeshta, ku vlerat e shënuara me numra nuk përkojnë me vlerat e shënuara me fjalë, duke krijuar shpesh paqartësi për vlerat e aseteve, kredive bankare apo shpenzimeve familjare.

Gjithashtu, Znj. Hajdari deklaron kredi bankare ndër vite prej 30 milionë lekësh, mes së cilës edhe një kredi të marrë nga i biri në vitin 2007 në vlerën e 19 milionë lekëve –e cila gjithashtu deklarohet herë me lekë të vjetra dhe herë me lekë të reja. Nuk është gjithashtu e qartë nëse këto detyrime lidhen me biznesin e të birit apo kanë shërbyer për të financuar pasuritë e familjes.

Në vitin 2013, djali i subjektit ka lidhur një marrëveshje sipas së cilës në këmbim të truallit prej 890m2 do të ndërtohet një objekt 10-katësh, ku të dyja palët përfitojnë nga 50%. Në vitin 2016, Hajdari deklaron se pjesa e tyre e investimit përveç truallit është edhe 204 mijë euro- pa shpjeguar burimin e këtyre parave dhe kohën e investimit.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik./ BIRN

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakA mund të kthehen kufizimet?/ Përgjigjet epidemiologu: Këto janë dy kriteret bazë
Artikulli tjetërNga trad htitë te pasuria, spikerja që ekspozoi gj oksin gjatë lajmeve i thotë të gjitha