U testua në Itali/ Ilaçi shpresëdhënës për koronavirusin, mjeku reumatolog: Ja rastet kur mund të aplikohet

Edhe pse të dhënat e para kanë treguar që Tocilizumab, ilaçi që përdoret për trajtimin e Artrit Reumatoid, ka dhënë rezultat tek pacientët e prekur nga koronavirusi, përdorimi i tij duhet të jetë i kujdesshëm.

Advertisements

Mjeku reumatolog, Ervin Rapushi thotë se përpara aplikimit të çdo preparati biologjik shtrohen dy probleme: së pari, zgjedhja e pacientit, i cili do të futet nën trajtim me mjekim biologjik nisur nga diagnoza, dhe së dyti kontrolli i pacientit përpara fillimit të trajtimit biologjik.

“Përsa i përket pikës së parë është shumë e lehtë për zgjedhjen e pacientit. Pacienti hyn nën trajtim me Tocilizumab kur ai është në kushtet e një pneumonie intersticiale severe. Në lidhje me pikën e dytë, pacienti që fillon një mjekim biologjik duhet të kontrollojmw për infeksione akute apo kronike si, hepatiti B, C, për tuberkulozin, HIV-in, njëkohësisht doza e preparatit biologjik duhet të modifikohet në pacientët të cilët janë me funksion të dëmtuar të veshkave dhe të mëlçisë apo në ata të cilët paraqesin probleme kardiake apo çrregullime të formulës së gjakut. Nisur nga këto dhe nga fakti që infeksioni nga Covid-19 , vetëshkakton dëmtime renale dhe hepatike, aplikimi i Tocilizumabit te këta pacientë është i vështirë”, pohon doktori. Trajtimi i të infektuarve me COVID-19 me këtë medikament ka nisur të aplikohet edhe nga Spitali Infektiv në QSUT. Tocilizumab nuk është një medikament që gjendet lehtësisht në tregun farmaceutik, ai sigurohet vetëm nga farmacitë spitalore. Nga ana tjetër, duhet thënë po ashtu që ka edhe një kosto të konsiderueshme.

Advertisements

Doktor, për gati një javë në Itali për trajtimin e të infektuarve me Koronavirus po aplikohet si trajtim i parë Tocilizumab. Për reumatologët ky medikament nuk është i huaj pasi është aplikuar te pacientët me Artrit Reumatoid. Cilat janë efektet e tij tek personat që vuajnë nga Artriti Reumatoid dhe pse mendoni që ka dhënë rezultat te pacientët me koronavirus?

Tocilizumab është aprovuar nga FDA (Food and Drug Administrations) në vitin 2010 për formën e cila aplikohet intravenoze (hospitaliere) dhe në vitin 2013 për formën sub-kutane(nën lëkurë e cila aplikohet në shtëpi nga vetë pacienti), në trajtimin e formave të moderuara dhe severe të Artritit Reumatoid te pacientët në të cilët terapia me preparatet e tjera modifikues të sëmundjes ka dështuar apo nuk e kanë toleruar mjekimin me këto preparate. Por, Tocilizumab është përdorur edhe në trajtimin e disa patologjive të tjera si CART (sindroma e çlirimit të citokinave e induktuar nga limfocitet T), në sëmundjen intersticiale pulmonare të shkaktuar nga sëmundjet sistemike autoimmune (Sclerodermia Sistemike, Dermato-Polimiozitis, Sarcoidoza etj) apo edhe në fibrozën pulmonare idiopatike etj.

Por fillimisht dua të sqaroi se çfarë është Tocilizumab dhe si ta kuptojmë efektin e tij në trajtimin e këtyre patologjive. Tocilizumab është një trajtim biologjik që nënkupton një antitrup monoklonal human i cili bllokon receptorin e interleukinës-6 (IL-6). IL-6 është një citokin inflamatore e cila luan një rol të rëndësishëm me përgjigjen imune dhe ajo është e implikuar në patogenezën e shumë sëmundjeve qofshin këto autoimune ose jo. IL-6 është një proteinë e cila prodhohet nga shumë qeliza përfshi edhe limfocitet T, monocitet etj. Ajo luan një rol të rëndësishëm në inflamacionin akut si edhe në transformimin e këtij inflamacioni në formën kronike. Përsa i përket asaj që ne i referohemi në dëmtimet e indit pulmonar, është i njohur tashmë dhe aprovuar roli i IL-6 në nxitjen e inflamacionit pulmonar intersticial si edhe efekti i saj në proliferimit fibroblastik alveolar i cili çon në dëmtimin e parenkimës pulmonare në fibrozë të saj.

Duke qenë se Tocilizumab është një antitrup monoklonal i cili frenon receptorin e IL-6, ai bën të mundur që të frenojë gjithë efektet e kësaj citokine në përgjigjen imune, e thënë ndryshe ai ul inflamacionin qoftë në nivel të kyçeve të prekura nga artriti por edhe në nivelin e intersticiumit pulmonar të shkaktuar nga Covid-19, njëkohësisht përdorimi i tij si terapi afatgjatë ul gjasat e zhvillimit të fibrozës pulmonare.

Panorama: Aktualisht nuk ka një protokoll mjekimi për Covid-19, në gjykimin tuaj sa rezultat do të kishte përfshirja e këtij medikamenti?

Ka protokolle të aprovuara me skema të miratuara tashmë për zgjedhjen e pacientëve të cilët do të fillojnë mjekimin dhe ndjekjen e këtyre pacientëve me AR nën trajtim me Tocilizumab. Për trajtimin e AR përdoren të dyja format e Tocilizumabit ajo me administrim intravenoz me dozen 4-8mg/kg cila aplikohet intravenoze një herë në muaj dhe për formën subcutane 162mg e cila aplikohet një herë në javë nga vetë pacienti në shtëpi. Kjo terapi përsëritet çdo muaj për formën venoze dhe çdo javë për formën subcutane dhe në fund të muajit të 6 vlerësohet efikasiteti i këtij trajtimi duke u bazuar në vlerat e treguesve të inflamacionit, vlerësimit të aktivitetit të sëmundjes apo në indikatorët e dëmtimeve artikulare të vërejtura nga radiografitë apo në metodat e tjera imazherike.

Për sëmundjen intersticiale pulmonare preferohet doza subcutane 162mg një herë në javë dhe në fund të muajit të 3 bëhet vlerësimi nëpërmjet HRCT(scaner me rezolucion të lartë) për evidentimin e efikasitetit të mjekimit në inflamacionin pulmonar.

Interesante është aplikimi i Tocilizumabit te pacientët me sindromën e çlirimit të citokinave e induktuar nga limfocitet T (CART) në të cilën mendoj se janë nisur edhe mjekët Virologë dhe ata Infeksionistë në trajtimin e infeksionit nga Covid-19 përderisa dozat e aplikuar te pacientët me këtë infeksion kanë qenë të njëjta me pacientët me CART në dozën 8mg/kg intravenozë dhe ripërsëritjen e mjekimit deri në tre doza nëse pas aplikimit të parë nuk paraqitet efikasitet. Nisur nga këto fakte mendoj që efikasiteti i Tocilizumabit në dëmtimet pulmonare të infeksionit nga Covid-19 do të varej përmirësimi i nivelit serik të proteinave të fazës akute të inflamacionit dhe reperti radiologjik pulmonar i përmirësuar post aplikimit të Tocilizumabit.

Në dijeninë time, për aq sa kam lexuar, ka disa studime në faza të ndryshme nga disa spitale në botë të prekura nga ky infeksion për efeikasitetin e trajtimit të dëmtimeve pulmonare me Tocilizumab, studime me një numër të konsiderueshem pacientësh.

Panorama: Në cilat raste mund të aplikohet Tocilizumab doktor?

Përpara aplikimit të çdo preparati biologjik shtrohen dy probleme: së pari, zgjedhja e pacientit i cili do të futet nën trajtim me mjekim biologjik nisur nga diagnoza, dhe së dyti kontrolli i pacientit përpara fillimit të trajtimit biologjik. Përsa i përket pikës së parë është shumë e lehtë për zgjedhjen e pacientit, pacienti hyn nën trajtim me Tocilizumab kur ai është në kushtet e një pneumonie intersticiale severe. Në lidhje me pikën e dytë, pacienti që fillon një mjekim biologjik duhet të checkohet për infeksione akute apo kronike si, hepatiti B, C, për tuberkulozin, HIV-in, njëkohësisht doza e preparatit biologjik duhet të modifikohet në pacientët të cilët janë me funksion të dëmtuar të veshkave dhe të mëlçisë apo në ata të cilët paraqesin probleme kardiake apo çrregullime të formulës së gjakut. Nisur nga këto dhe nga fakti që infeksioni nga Covid-19 vetëshkakton dëmtime renale dhe hepatike, aplikimi i Tocilizumabit te këta pacientë është i vështirë.

Një tjetër problem qëndron në faktin se përpara aplikimit të Tocilizumabit forma venoze rekomandohet aplikimi i metilprednizolonit (kortizonit) në dozë të lartë 100mg intravenoz për të ulur efektet anësore si edhe hipersensibilitetin (alergjinë) nga ky medikament. Por, përdorimi i kortizonikëve me doza të larta te këta pacientë me Covid-19 ende nuk është i njohur nisur edhe nga efektet e kortizonit si imunomodulator dhe imunosupresor mbi sistemin imun. Aq më tepër risku është më i madh nëse pacienti i infektuar me Covid-19 që do t’i nënshtrohet edhe mjekimit me Tocilizumab mund të jetë edhe diabetik apo hipertensiv jo i kontrolluar.

Panorama: A është i kushtueshëm, për të kuptuar edhe efektet financiare?

Kur flasim për preparate biologjike flasim për preparate të cilët prodhohen nën një industri farmaceutike gjenetike, ndaj kostoja është e konsiderueshme. Tocilizumab forma doza200mg/10mL në flakon është përafërsisht 491$(referuar çmimit në USA). Nëse e llogarisim për një pacient me peshë mesatarisht 70kg, i duhet të marrë rreth 280mg Tocilizumab ka një kosto rreth 686$, pra një kosto e konsiderueshme. Panorama.al

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakE frikshme në Spanjë çdo 16 minuta humb jetën një person nga koronavirusi
Artikulli tjetër27-vjeçarja nga Polonia është viktima më e re nga Covid-19, ndërroi jetë pak ditë pasi solli në jetë fëmijën