Ishulli ku ligjin e bëjnë gratë, amazonat e fundit në Evropë

Eshtë një ishull në Baltik, ku gjithçka varet nga gratë. Shkrimin e gazetares së ditores Guardian, Rhiannon Lucy Cosslett, që merret me fotografitë e bëra nga Anne Helene Gjelstad në ishullin Kihnu

Advertisements

Anne Helene Gjelstad ishte duke punuar në një projekt fotografik, në ishullin e vogël të Estonisë, në Kihnu, kur një nga fqinjët e ftoi në funeralin e një gruaje të vjetër, për të bërë ca fotografi. Fqinja e veshi fotografen norvegjeze me rroba të zeza, siç është zakon, përpara se ta çonin në kuzhinë ku trupi i Koksi Leida-s shtrihej në një arkivol të hapur.
Gjatë ceremonisë, gratë e ishullit baltik luteshin, vajtonin dhe këndonin, përpara se burrat të vinin e arkivoli të nxirrej jashtë. Dëshmimi i këtyre momenteve të fuqishme femërore, e ndryshoi pikëpamjen e Gjelstad-it.


“Kjo”, thotë ajo, duke treguar një imazh të grave të ulura rreth Leida-s, “është një nga momentet më emocionuese që kam përjetuar si fotografe. Ishte sikur kthehesh mbrapa në të kaluarën, por në të njëjtën kohë je në të tashmen. Mendoja se do të bëja një libër për artizanët estonezë, por krejt papritur bëhej fjalë për gratë e moshuara dhe për kulturën e tyre që po ndryshon kaq shpejt”.

Advertisements

“Big Heart, Strong Hands” (Zemra e madhe, duart e forta) është libri i fotografive që ajo bëri në vendin që shpesh quhet Ishulli i Grave, e që na lejon të futemi në një shoqëri të ngushtë që mendohet të jetë matriarkati i fundit në Evropës. Kihnu është thjesht shtatë kilometra i gjatë dhe 3.3 kilometra i gjerë, me pikën më të lartë 8.9 metra mbi nivelin e detit. Shtrihet në pjesën lindore të detit Baltik. Janë afro 300 banorë gjatë gjithë vitit, shumica e tyre gra. Gratë e Kihnusë dhe të ishullit fqinj Manija, marrin çdo përsipër në tokën e thatë, teksa burrat historikisht kanë punuar larg shtëpisë – qoftë jashtë vendit, në territorin e Estonisë, ose në det duke gjuajtur foka dhe peshq. Ato janë mësuar me punë të rëndë e kohë të vështira, duke duruar okupimin 50-vjeçar sovjetik, ngricat dhe dimrat ashpër që i shkëpusin ishujt nga pjesa tjetër e botës. Ky izolim ka ndaluar zhdukjen e zakoneve të tyre.

Martesa dhe mëmësia janë shumë të çmuara; vetëm gratë e martuara lejohen të veshin përparësen tradicionale. Foshnjat shpesh lindin në saunë dhe fëmijët shkojnë kudo me nënat e tyre. Populli flet dialektin Kinhu Kiel, i cili u shtyp nga sovjetikët. Është pak si finlandishtja që është e pasur me fjalët që përshkruajnë motin, veçanërisht ndikimin e tij në det dhe në akull. Për shembull, “tie” është akulli që është i mirë për kalim; “tuuloeauk” është akull i hollë e shumë i rrezikshëm për të ecur mbi të.

Ishujt janë të njohur për turistët, të cilët grumbullohen atje gjatë verës për të parë gratë tek parakalojnë dhe shfaqin folklorin e ishullit – të veshura me fustane tradicionale, me ngjyra të forta të ndritshme. Por, ato druhen nga të huajt. Filmbërësi estonez, Mark Soosaar, ka bërë dokumentarë për ishujt, duke u përqendruar te problemet e tyre sociale, veçanërisht te trashëgimia e alkoolizmit nga epoka sovjetike, që u përdor si mjet për të shtypur qytetarët e okupuar. Kjo e ka dëmtuar reputacionin e ishullit dhe nxiti mosbesim ndaj të huajve.

“Njerëzit ndiheshin shumë, shumë të ekspozuar”, thotë Gjelstad. “Ishte kohë shumë e mundimshme për ta. Dua ta përmend, por jo ta theksoj”.

Gratë do t’i ofronin Gjelstad-it bukë dhe birrë, si dhe verë të bërë nga manaferrat e rritura në kopshtet e tyre.

“Ishte e jashtëzakonshme sesi jam ftuar në shtëpitë e njerëzve”, shkruan ajo në librin e saj, ku regjistron tregimet e grave për punën, luftën dhe jetën familjare. Qëllimi i saj është ta “ruajë këtë kulturë unike, për të ardhmen, dhe t’ua japë këtyre grave të vjetra e të mençura zërin që e meritojnë”.

Gjelstad, që është 63 vjeçe, goxha vonë nisi të merret me fotografinë – pas shumë viteve si kreatore e modës. Gjatë një Simpoziumi të Thurjeve Nordike, ku ka marrë pjesë me kompaninë e saj “Close Knit World”, ndodhi që të takohet për herë të parë me gratë Kihnu e të zbulojë traditat e tyre të muzikës, vallëzimit dhe tekstilit. Mosha dhe gjinia e saj e ndihmoi të miqësohej me gratë, si dhe fakti se fliste pak estonisht. Gjithashtu, ajo e përdori një përkthyes, si dhe e plotësoi komunikimin me gjeste dhe përqafime.

U preka kur pashë punën e Gjelstad-it: sa rrallë është të shohësh fotografi të grave të moshuara, të paktën në Mbretërinë e Bashkuar. Gjelstad duket e befasuar kur i them asaj se gratë e moshuara janë për ta ndjerë të padukshmen në Britani, sepse në Norvegji janë rritur tek i shohin burrat dhe gratë si të barabartë. Por, për mua është thelbësore t’i shohësh këta ishullorë të përshkruar me dinjitet, me humanizëm dhe respekt për punën e zakonet e tyre. I shohim duke qëndruar në këmbë ose të ulura në shtëpitë dhe kopshtet e tyre, me veshjet guximshme që përzihen me ngjyrat e heshtura të shtëpive, si dhe pamjet e shkreta të peizazheve dimërore që Gjelstad i ka vendosur në intervale përgjatë gjithë librit.

Në një fotografi, Tilli Alma rri ulur në cepin e një dhome të zbehtë, duke thurur e zbathur, teksa sytë e saj drejtohen tek puna.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakBesojeni ose jo, këto që do shihni janë që të gjitha ëmbëlsira! (FOTO)
Artikulli tjetërRevista “Times”: 100 gratë që shkruan historinë