Historia e trishtë e 5 jetimëve: Kemi frikë mos na merr flakë kasollja

Jeta për 5 fëmijët e familjes Roçi është treguar veç mizore. Prej vitesh për ta të shkuarit në shkollë është kthyer në një sfidë. Duhet të ecin për më shumë se 1 orë, mes shiut, ftohtit, borës dhe rrezikut nga kafshët e egra. Me këpucët e tyre të grrisura sfidojnë mjerimin. Jetojnë në fshatin Poroçan, tre orë larg Gramshit. Janë në moshë shumë të vogël, por jeta i ka vrarë çdo ëndërr dhe çdo pafajsi fëminore. Veç kushteve mizore në të cilat jetojnë, disa ditë më parë nëna e tyre ndërroi jetë. Duke lënë në sytë e 5 jetimëve veç dëshpërim dhe zbrasti. Ndërsa Guri, kryefamiljari ndjehet i pafuqishëm. Ku pengu më i madh që e mundon çdo ditë është amaneti i bashkëshortes, shkollimi i fëmijëve.

Advertisements

“Veç fatkeqësive të tjera më goditi dhe bashkëshortja. Ajo nuk ishte sëmurur asnjëherë. Morëm urgjencën në telefon, ajo thoshte që nuk vij sepse është larg dhe rrugë e keqe. Thirra disa bashkëfshatarë dhe në krahë e kemi mbajtur deri sa e nxorëm në gjysëm të rrugës. Nëse do ta kisha pasur spitalin afër, ndoshta ajo do të shpëtonte. Spitali është në Gramsh dhe duhen tre orë për të shkuar deri atje. Është e tmerrshme, sëmuren fëmijët nuk di çfarë të bëj. Më është mpirë trupi komplet. Tani është shkatërruar gjithçka dhe për fëmijët. Dëshirën e kemi pasur që t’i çojmë në shkollë, por tani nuk di se si do ta bëj realitet,” shprehet i rrënuar 50-vjeçari.

Advertisements

Guri së bashku me pesë fëmijët qëndrojnë në një dhomë ku ndodhet vetëm një divan i shkatërruar. Ndërsa pesha i rëndohet pasi i duhet të kujdeset për nënën e sëmurë dhe për motrën e tij. E cila prej 20 vitesh është diagnostikuar me skizofreni.

“E ka goca një dhomë dhe këta rrinë këtu. Edhe ajo nuk mund të quhet dhomë, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Unë vetë jam e moshuar, nuk kam më fuqi të mbaj pesë fëmijë. Unë nuk i gatuaj dot as bukë, goca e vogël mundohet që të bëjë për të ngrënë. Më këpusin shpirtin,” rrëfen mes lotëve gjyshja e pesë jetimëve.

Të harruar nga çdo gjë, familja Roçi është në luftë me kohën. Teksa fëmijët veç dhimbjes së madhe që kanë, janë të detyruar të braktisin edhe shkollën.

“Dal nëpër fshat që të kërkoj punë, çfarëdo pune qoftë, edhe punë krahu. Më vjen keq shumë që më duhet të braktis shkollën, por familja duhet mbajtur. Kam pesë vite që i kam vënë syzet me lekë borxh. Ato janë të thyera dhe i kam sajuar me tel të nxehtë dhe me pe.

Kjo ku jetojmë ne nuk mund të quhet shtëpi, është kasolle. Është shumë e keqe, ndonjëherë ikin dritat nga lagështia dhe herë bën mas. Ndaj kemi edhe frikë mos na merr flakë edhe kjo kasolle që kemi. Pastaj do jemi të detyruar të rrimë në qiell të hapur.

As banjo nuk kemi, lahemi jashtë me kanaçe në të ftohtë. Një divan kemi dhe tre flenë në të dhe të tjerët në tokë. Çimento është e ftohtë, shumë herë jemi sëmurur. Nuk kemi çfarë të bëjmë. Kemi dhe frikë natën, sepse mund të hyjnë gjarpërinj apo kafshë të egra. Gjithmonë jeta godet me një pe të këputur,” shprehet me trishtim Ledjani, djali i madh i familjes.

Familja ka nevojë urgjente për ndihmë, ndaj të bëhemi bashke për t’i dhënë shpresë dhe për t’i treguar që dhe për ta ka lumturi, jo veç trishtim!

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprak“Iki që nesër nga detyra, nëse dikush bind …”! Befason Rama: Do jepja gjithçka, vetëm të mos isha këtu ku jam sot!
Artikulli tjetërKoronavirusi/ Rezulton e infektuar edhe një foshnjë 7.5 muajshe në Greqi, prindërit izolohen në karantinë