Desantila Sollaku, 25- vjeçarja që humbi jetën nga mb.ytja në Kanionin e Holtës pasditen e së dielës, kishte planifikuar të niste një jetë të re në Gjermani, ndërsa kishte përfunduar studimet për infermieri.
Advertisements
E reja nga Lushnja këtë javë do të udhëtonte për në Gjermani, ku kishte aplikuar për t’u punësuar si infermiere. Pikërisht në këtë vend jetojnë motra dhe vëllai i saj. Ky i fundit, bashkë me dy prindërit dhe Desantilën, ndodheshin pasditen e së dielës në Kanionin e Holtës për të kaluar një fundjavë së bashku.
Ndërsa motër e vëlla po shkonin deri në fund të kanionit për të shijuar bukurinë natyrore të këtij vendi, ata nuk e dinin se brenda pak çastesh do të vërshonte uji me furi. Kjo, pasi gjatë natës malet e Gramshit ishin përfshirë nga reshje të dendura shiu.
Advertisements
Rritja e menjëhershme e nivelit të ujit ka bërë që 25-vjeçaren ta marrë përpara, ndërsa vëllai i saj ka hyrë në ujë për t’i ardhur në ndihmë. Persona të tjerë, për të shpëtuar hipën mbi shkëmbinj.
Drejtori i Zjarrfikëses së Gramshit, Ilir Llapushi, tregon se 24- vjeçari nuk pranonte të dilte nga kanioni pa motrën në momentin kur kanë ndërhyrë për të shpëtuar personat që ndodheshin brenda në kanion.
“Të dielën ishim pushim, vetëm turni i gatishmërisë ishte në punë. Ne u njoftuam nga Policia që në kanion po mbyteshin disa turistë si pasojë e shirave që ranë në male, duke rritur nivelin e ujit. Arritëm këtu me të gjitha forcat dhe u futëm menjëherë duke çarë dallgët e lumit. Duke u kacavjerrur gjejmë tre fëmijë dhe një të rritur, i marrim në shpatulla dhe i nxjerrim jashtë rrezikut.
Rifutemi përsëri, por kanioni bëhej më i vështirë. Kur erdhëm, ne shpresonim që vajzën ta gjenim të gjallë, edhe pse kishte kaluar shumë kohë. Me shumë vështirësi çamë dallgët dhe arritëm në fund, aty ky rryma godet më shumë, pasi 25- vjeçarja dhe i vëllai kishin shkuar deri në fund të kanionit. Vëllai kërkonte motrën, u munduam ta qetësonim, por nuk pranonte që të dilte“, tregon Llapushi.
Kreu i Zjarrfikëses shprehet se gjatë ditës së hënë, edhe pse pak orë nga tr.agjedia dhe uji ende i turbullt, në Kanionin e Holtës ndodheshin me dhjetëra vizitorë. Ai shprehet se është caktuar një person nga Zjarrfikësja që t’i paralajmërojë për rrezikun, pasi moti nuk favorizon vizitimin e kanionit.
“Pa kaluar 24 orë nga ngjarja e rëndë, ka akoma turistë, kjo është diçka e frikshme. Do të lëmë një njeri këtu që të bëjë bllokimin e turistëve, pasi koha po acarohet. Në vijim do të bëjmë sensibilizimin e guidave për të marrë informacion për rrezikshmërinë që ka kanioni. Këtu duhet të vihet një person për të bllokuar turistët që të mos hyjnë në kanion në kohë të keqe. Falënderoj Zotin, pasi mund të kishte edhe më shumë viktima, sepse kur vjen Holta është e frikshme”,shprehet ai.
Bashkia e Gramshit një ditë pas ngjarjes së rëndë ka shprehur falënderime për punonjësit e Zjarrfikëses për shpëtimin e jetëve, pasi bilanci mund të kishte qenë akoma edhe më i rëndë.