Monedha e përbashkët i është rikthyer rënies së fortë pas një periudhe kur ishte stabilizuar në rreth 122 lekë, duke reflektuar forcimin e efekteve sezonale, të pranishme gjithnjë në këtë periudhë.
Advertisements
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 121.74 lekë, duke shënuar një rënie prej 0.17 lekësh në raport me një ditë më parë.
Që nga e enjtja e javës së kaluar kur u rrit në 122.3 lekë, monedha e përbashkët, ka rënë me 0.55 lekë. Euro po i afrohet sërish nivelit më të ulët në 11 vjet, që është arritur në 19 qershor të këtij viti. Aktorët e tregut valutor pohojnë se arsyeja kryesore e kësaj rënieje lidhet me efektet sezonale, si të ardhurat nga turistët dhe shtimi i prurjeve të emigrantëve.
Advertisements
Përgjithësisht tendenca pritet të vazhdojë dhe në gusht, ku krahas turistëve në vend kthehen edhe emigrantët, një tjetër faktor që nxit ofertën për valutë në vend. Për periudhën 3 janar-24 korrik të këtij viti, kursi mesatar i këmbimit është 124.5 lekë, nga 127.6 që ishte mesatarja e vitit të kaluar duke u luhatur në nivelin më të ulët që nga 2008-a.