U arrestua për vr.asjen e ish-policit, gjykata merr vendim për Gjergj Cukalin

Gjykata e Tiranës la në burg Gjergj Cukalin, të arrestuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali.

Advertisements

I ashtuquajturi “i forti” i “Myslym Shyrit”, u prangos dy ditë më parë, ndërsa sipas burimeve prokuroria ka prova shkencore që vërtetojnë fajësinë e tij.

Për rreth dy orë Gjykata e Tiranës ka dëgjuar pretendimet e palëve dhe në fund vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Cukalit dhe caktoi ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg” pa afat.

Advertisements

Gjatë seancës, mësohet se Cukali nuk ka folur, ndërsa prokuroria provën më të fortë ka pasur ADN-në e gjetur.

Cukali u arrestua mbrëmjen e së enjtes, në afërsi të kryqëzimit pranë shkollës “Vasil Shanto”. Një grup i Operacioneve Speciale po e mbante në vëzhgim prej disa ditësh, derisa ranë në gjurmët e tij, teksa po lëvizte në këmbë në rrugicat e zonës, ku edhe u prangos. Burime nga Policia thanë se kanë siguruar prova shkencore, që e implikojnë 40- vjeçarin Gjergj Cukali në vrasjen e ish-policit Bilali.

Bëhet fjalë për ADN-në që u zbulua nga disa mbetje biologjike në makinën e sekuestruar ditën kur ndodhi vrasja e 50-vjeçarit Bilali. Pas ekzaminimeve ka rezultuar se bëhej fjalë për profilin gjenetik të Cukalit. Por jo vetëm kaq, pasi në makinë janë fiksuar edhe gjurmët e tij të gishtave.

Megjithatë, burimet thanë se ndonëse tashmë është provuar se Cukali dyshohet si ekzekutor i Arben Bilalit, po punohet për identifikimin e porositësve të krimit. Kjo, pasi ka të dhëna se ai mund të jetë paguar për eliminimin e 50-vjeçarit, duke qenë se nuk është gjetur asnjë motiv tjetër që mund ta çonte atë drejt vrasjes.

Policia e Tiranës njoftoi dje zyrtarisht se është zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore vrasja e 50-vjeçarit Arben Bilali, ngjarje e ndodhur më 30 janar në Selitë të Tiranës. “Kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i ngjarjes. Në pranga ra 40-vjeçari, i dënuar më parë për disa vepra penale”, njoftoi dje Policia.

Ndërsa më tej sqaroi se Sektori i Hetimit të Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 30.01.2019, ku në rrugën ‘Isuf Banka’ në Tiranë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Bilali, pas një pune të mirorganizuar është arritur të bëhet zbulimi dhe dokumentimi ligjor i kësaj ngjarje, ku është bërë kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar.

“I arrestuari është Gjergj Cukali, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, ‘Armëmbajtja pa leje’ dhe ‘Rrëmbim personi’”, tha zyrtarisht Policia. Ndërsa tani Cukali është prangosur për “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

MOTIVI

“I ngujuar” prej afro 10 vitesh, ish-polici Arben Bilali, që u ekzekutua më 30 janar, i frikësohej një ngjarjeje të tillë, bashkë me të vëllain, i vetmi nga 4 vëllezërit që sot është gjallë. Për këtë arsye, ai e kishte siguruar shtëpinë e tij me kamera, për të vëzhguar çdo lëvizje të dyshimtë, ndërsa daljet e tij nga shtëpia ishin shumë të kufizuara.

Burime nga grupi hetimor thanë ditën e ngjarjes se pista kryesore e vrasjes së Arben Bilalit është ajo e hakmarrjes. Të njëjtat burime thanë se Bilali ishte pjesë e një familjeje, që prej vitesh janë në një hasmëri me një tjetër familje në “Yzberisht” të Tiranës. Prej këtij konflikti, që daton në vitin 1997, numërohen disa të vrarë nga të dyja familjet. Dy prej viktimave janë vëllezërit e Arben Bilalit, Bujari dhe Leonardi.

Provat në makinë zbuluan autorin

Makina e përdorur nga autorët e vrasjes së ish-policit Arben Bilali është gjetur nga Policia disa orë pas krimit, disa kilometra larg vendit të ngjarjes. Burime nga Policia thanë se automjeti tip “Mercedez Benz CLS”, me ngjyrë blu të errët, u gjet në afërsi të Mjull Bathores. Në makinë janë fiksuar gjurmë gishtash, fije floku dhe një bidon uji. Fija e flokut dhe pështyma në bidonin e ujit, pas ekzaminimit kanë rezultuar të të njëjtit person. Sipas Policisë, profili gjenetik i përftuar prej tyre është i Gjergj Cukalit.

PANORAMA

Artikulli paraprakKanionet e Nivicës jehonë në mediat e huaja, konsiderohet një nga 10 kanionet më të mrekullueshme në Europë(Foto)
Artikulli tjetër“Heronj” Të burgosurit shpëtojnë mrekullisht shokun e tyre që donte t’i jepte fund jetës(Video)