Ngjarja e rëndë në Letoni/ Si shkelën mbi mina nëntetarja Hasanaj dhe dy të tjerët.

Detaje nga ngjarja e rende ne Letoni, ku një efektive e Forcave të Armatosura shqiptare humbi jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi i disa municioneve, gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në misionin e NATO-s atje.

Advertisements

Nga shpërthimi ka humbur jetën nëntetare Zarife Hasanaj, 32 vjeç, ndërkohë që të plagosur kanë mbetur kanë mbetur komandanti i kontingjentit, major Klodian Tanushi, 39 vjeç dhe rreshter Julian Kapaj, 41 vjeç. Kontingjenti shqiptar, në prezencën e përparuar të NATO-s, në Riga, Letoni, me mision EOD (për çminime). Për ngjarjen doli në një deklaratë për shtyp shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, i cili sqaroi se çfarë kishte ndodhur. Sipas Kollçakut, ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontingjent në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forward Presence”. Zarife Hasanaj nga Tropoja dhe banuese në Babrru të Tiranës, bashkë me të tjerë ushtarakë shqiptarë, ndodheshin në Letoni në kuadër të grup – batalionit kanadez të Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO-s. Kontigjenti aktual ishte nisur në Letoni më 1 janar të këtij viti, me një mision gjashtëmujor dhe ishin vendosur në bazën “Camp Adazi”. Në qershor, ushtarakët shqiptarë, pjesë e të cilëve edhe Zarife Hasanaj, do të ktheheshin në atdhe.

Advertisements

Një grup i Kontingjentit të Asgjësimit të Municioneve dhe Lëndëve Eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës në Letoni, dje në orën 09:10, (ora 10:10 me orën lokale), janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake në bazën e NATO-s, ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.

Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën nëntetare Zarife Muharrem Hasanaj. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontingjentit, major Klodian Nikolla Tanushi dhe rreshter Julian Xhevat Kapaj. Sipas informacioneve të deritanishme, major Tanushi dhe rreshter Kapaj janë nën kujdesin maksimal të mjekëve në bazën “Camp Adazi”, në Letoni. Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura u shpreh dje se për këtë ngjarje janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta letoneze dhe të aleatëve në mision.

“Në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura siguroj të gjithë familjarët e efektivëve tanë në Letoni, se po ndjekim me vëmendje maksimale ngjarjen që ka ndodhur. Në këtë moment të vështirë jemi pranë çdo efektivi të Forcës së Armatosur në Letoni dhe kudo ku Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e misionit”, u shpreh dje gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.

Të vendi i ngjarjes dhe në spitalin ku ndodhen dy të plagosurit ka mbërritur mbrëmjen e djeshme një përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Nazmi Cahani, i cili është nisur menjëherë nga Brukseli.

Burime nga Ministria e Mbrojtjes thanë dje se ky kontingjent, i përbërë nga 21 ushtarakë, ishte i katërti që merr pjesë në kuadrin e NATO-s, me mision në Letoni. Grupi ku bënin pjesë viktima dhe dy të plagosurit, ka qenë një grup që ka shkuar dje në mëngjes për të bërë kontrollin dhe çminimin në një zonë që do bëhej stërvitje. Duke kontrolluar me minakërkues, kanë shkelur rastësisht në një minë dhe janë hedhur në erë të tre ushtarakët shqiptarë.

Vajza ka vdekur në vend dhe dy të tjerët janë në gjendje të rëndë në spital. Në gjendje më kritike është komandanti i kontingjentit. Nga ana tjetër, Shtabi i Përgjithshëm i Letonisë ka ngritur një grup ekspertësh për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes dhe çfarë lloj mine ka qenë ajo që shpërtheu.

Artikulli paraprakAksident i frikshëm në Gjirokastër, tre persona të plagosur(Video)
Artikulli tjetër“Zhv.ishu direkt se s’kam nerva unë”, moderatorja vë në siklet Landi Hysin