Një intervistë me tone të ashpra është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në “Opinion” mes Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e qeverisë Rama, Elisa Spiropali dhe gazetarit Blendi Fevziu.
Advertisements
Në lidhje me zgjedhjet e 2017-ës dhe dosjen 339, Fevziu tha se “personat e përgjuar nga prokuroria minimalisht duhej të thirreshin dhe të pyeteshin”.
Elisa Spiropali: Pyeteni prokuroren, pyeteni kryeprokuroren…
Advertisements
Blendi Fevziu: Kryeprokuroren e keni zgjedhur ju në kundërshtim të plotë të opozitës.
Elisa Spiropali: Kryeprokurorja e ka shpjeguar qartë që dosja është shumë voluminoze. Nga ai dyshek ju të nxirrni pleshtin e zgjedhjeve të vjedhura në 2017 ku nga 35 mijë komisionerë, nuk pati asnjë ankesë…
Blendi Fevziu: Zonja Spiropali, e para mos mu drejto me ju, sepse se ça nxjerr unë nuk jam me ty përballë, ke PD dhe kur të kesh kurajo të përballesh me PD…
Elisa Spiropali: Po i referohem shqetësimit, zoti Fevziu.
Blendi Fevziu: Po pra, dakord, por mos mu drejto mua.
Elisa Spiropali: Mirë, ata dakord. Ti referohen një palë zgjedhjeve ku nuk pati asnjë ankesë në asnjë nivel, ku kreun e KQZ e kishte propozuar opozita për herë të parë në histori, ku shumicën e kishte opozita, nuk pati asnjë ankesë në Kolegj Zgjedhor. Kjo është qesharake…
Blendi Fevziu: Tani jemi në këtë situatë, janë të paktën 4 parti të mëdha të opozitës, përfaqësojnë gati 50 për qind të votuesve. Ta zëmë që janë gabim dhe janë hedhur në një aventurë, ju me 50 për qindshin tjetër, çfarë do të bëni, do të hapni luftë civile?
Elisa Spiropali: Jo vetëm nuk do hapim luftë civile, por do e mbrojmë vendin nga ata që tentojnë ta destabilizojnë duke penguar zgjedhjet.
Blendi Fevziu: Janë 50 për qind…
Elisa Spiropali: Jo zoti Fevziu, është PD dhe LSI dhe aleatët e tyre joparlamentarë që kanë zgjedhur të mos hyjnë në zgjedhje…Ata votues nuk i kemi lënë ne pa përfaqësim, kishte shansin të regjistronte kandidatë deri mbrëmë. Ne nuk jemi këtu për të zgjidhur krizat e PD dhe LSI, jemi këtu për të garantuar qeverisje, për t’iu përgjigjur datën kushtetuese për zgjedhje dhe për të siguruar rend dhe ligj. Të gjithë ata që do të tentojnë të pengojnë shqiptarët të votojnë duke dashur ta destabilizojnë Shqipërinë do pendohen sepse do të përballen me ligjin që e kemi votuar sëbashku në parlament./tvklan