Një personalitet i shquar i sportit shqiptar ka ndërruar jetën sot. Mikel Janku, ish-portieri i Kombëtares shqiptare ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.
Advertisements
Uvil Zajmi, në një shkrim të hershëm për futbollistin e shquar, ka rrëfyer shumë nga jeta e tij: Nga një karrierë ushtarake, tek një tjetër e famshme sportive. Nga një pilot helikopteri mbi Vollga e Don, në një portier i shquar i futbollit shqiptar. Nga Bellova që e zbuloi, prishja me rusët, tek Bekenbauer, golat e Mylerit, Bestit, turneu i Hanoit, Boriçi, Pano, dhe Maliqati… Gjithçka në një tregim të rrallë… Çfarë bën sot Mikel Janku, aviatori, portieri kombëtares, kampion dhe fituesi i kupave me Partizanin, opinionisti, gazetari, vëllai i madh i famljes, të gjithë protagonistë me një klub të vetëm?
Vetëm 17-vjeç, në Bashkimin Sovjetik
Advertisements
Është nxënës i shkëlyqer i vitit të tretë, kur e kanë përzgjdhur të jetë në kursin e aviacionit në Shkollën Skënderbej. Vetëm një herë në qiell nga fusha e aviacionit në Shijak, me “Jak 18”, një avion i shpejtë, prodhim rus i luftës së dytë botërore dhe instruktorin Flamuar Micka. Ndonëse rrotat nuk janë hapur në zbritje e kanë detyruar të qëndrojë 45 minuta në ajër. Ishte viti 1958, muaji korrik dhe kur ende nuk ka bërë 17 vjeç, i ka hipur vaporrit “Bjelloostrov” për në Odesë. I përcjellë nga familjarët, me dëshirën për të shkuar e studiuar për tri vite në shkollën e njohur të fluturimit në Bashkimin Sovjetik, fillimisht në Pugacov, pastaj në Batacjk të Rostovit, ku specializohet si pilot për helikopterë transporti. Fluturime në zonën e Vollgës, në hapësirat mbi Don, hedhje me parashutë, ndërkohë që ushtronte sport e fliste mirë rusisht. Luan me shkollën si portier, por edhe baskteboll, gjimnastikë, ski, patinazh në akull. Ndiqte kampionatin rus, tifoz i “Partizanit” që para nisjes nga Shqipëria dhe i Rostovit e CSKA Moskës. Admironte futbollistin legjendar rus, Viktor Poniedelnik.
Bellova, ai që i hapi portën
Nuk e kishte menduar të bëhej pilot, ndërsa futbollist po, pasi luante futboll me lagjet, “Mine Peza”-“Rruga Fotuzi”, ku ishin Pano, Halili, Plangaricat, etj. Diçka nga i ati Andrea, futbollist në rininë e tij, kur në Shkollën Skënderbej, Ismet Bellova mësues i fizkulturës ishte ai që gjatë orës së mësimit e stërviste si portier te gropa e kërcimit. Pastaj në ndeshje midis klasave, ndërkaq Bellova do ti hapë kështu një dritare të vogël, për tu bërë e madhe më vonë. Me profesorin, mikun, pedagogun, radiokronistin, gazetarin, do të ruajë miqësinë, madje do të jenë bashkë në një kabinë të radios përballë një mikrofoni, shumë vite më pas.