“Unë Erionin e kam komshi, jetojmë në një lagje”, ishte kjo deklarata e Monika Kryemadhit në emisionin ‘Zonë e Lirë’ që shkaktoi reagime të forta brenda opozitës. Zyrtarë të Partisë Demokratike reaguan menjëherë duke ritheksuar kundërshtitë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Advertisements
Fqinjësia (politike) e Kryemadhit me Veliajn nuk ka shkaktuar shqetësime vetëm brenda opozitës, por edhe te mazhoranca.
10 ditë pas deklaratës së kryetares së LSI, termi “komshi” do të përdorej shpesh edhe nga kryeministri Edi Rama. Zërat brenda Partisë Socialiste flasin për të paktën dy klane të forta të krijuara të socialistët, ku Veliaj po vendoset gjithnjë e më dukshëm përballë Ramës.
Advertisements
Në fjalimin e gjatë që mbajti për protestën e studentëve, kryeministri Rama e përdori tre herë termin komshinjtë. Madje, ai i ndau studentët në tre grupe: Të Lulzim Bashës; të Monika Kryemadhit; të komshinjve. Ai nuk e sqaroi se kujt i referohej me termin “komshinjtë”, ndërkohë që për të gjithë ata që e ndjekin politikën më vëmendje, deklaratat të çojnë vetëm tek një person: Erion Veliaj.
Nga Kryeministria, Rama do të shprehej më 10 dhjetor:
“Unë jam me çdo student dhe do të isha aty si një student që është aty për veten e tij, jo për Lulin, jo për Monikën dhe jo për komshinjtë, por për veten e tij…”
“Ju nuk jeni aleatët e Lulit. Ju nuk jeni aleatët e Monikës. Ju nuk jeni aleatët e komshinjve.”
“Se po krijohet një protestë që është unikale edhe nga një aspekt tjetër. Një si protestë transgender, me dy fytyra. Natën i PD-së, ditën jo politikë. Natën i LSI-së, ditën jo politikë. Natën tek komshinjtë, ditën në qendër të Tiranës.”
Krisja e Ramës me Veliajn u theksua kryesisht gjatë protestës së banorëve të “Unazës së Re”. Rama e la të vetëm Veliajn përballë banorëve, ndërkohë që në media u përhap me shpejtësi lajmi se Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë, mund të jetë kandidatja e PS-së për zgjedhjet lokale të vitit 2019-të në bashkinë e Tiranës.
Kjo lëvizje, e nisur nga brenda PS, nxori në pah ndarjen e klaneve në partinë që qeveris vendin, duke nisur me mbështetjen që Fatmir Xhafaj i dha Veliajt një ditë pas shkarkimit si ministër i Brendshëm. Edhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko theksoi në emisionin ‘A’ se Rama do të dëmtonte veten nëse nuk rikandidonte Veliajn në Tiranë, ndërsa nënvlerësoi figurën e Manastirliut.
Një javë më pas, po në të njëjtin emision, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj do të pozicionohej kundër kryebashkiakut Veliaj. I njohur si njeri i besuar i Ramës, Lleshaj theksoi se propaganda e Erion Veliajt për incidentin me policen Ina Nukën, nuk shkoi në favor të ngjarjes.
PS dhe PD kanë premtuar se do të bëjnë publike disa muaj përpara qershorit të 2019-ës, emrat e kandidatëve për zgjedhjet lokale. Por situata e vështirë ku gjendet aktualisht kryeministri Edi Rama me protestën e studentëve, mund të ndikojë që ky konflikt të mbahet i fshehur të paktën edhe për disa kohë, deri kur kreu i PS të mendojë se situata politike është sërish në favor të tij dhe ka të gjithë fuqinë për të nisur ‘luftën’ me klanin e Veliajt./