Kurorëzimi i njohjes nga Serbia, është misioni i bisedimeve dhe këtë e tregon edhe mbështetja nga Presidenti Amerikan Donald Trump, i cili do të jetë edhe kurorëzuesi i kësaj njohje.
Advertisements
Javën që shkoi në Kuvendin e Kosovës morëm dy vendime të mëdha: miratuam ligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri dhe krijuam Delegacionin Shtetëror për Dialog.
Të dy këto vendime pasqyrojnë përkushtimin tonë konkret për paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në Rajonin tonë.
Advertisements
Falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe vendet tjera anëtare të NATO-s, që mbështetën vendimin tonë për Ushtrinë.
Nga 14 dhjetori, Ballkani është më i sigurt dhe më afër përmbushjes së aspiratës euro-atlantike.
Votimi i Delegacionit për Dialogun – afirmon qartë përkushtimin e Kosovës për mirëkuptim dhe marrëveshje.
Kemi pritur vlerësim pozitiv nga BE për këtë, së paku për korrektësi.
Serbia, gjithë kohën, ka bërë obstruksione në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash në Dialog.
Janë shkelur marrëveshjet për lëvizjen e qytetarëve, për energjinë, dokumentacionin kadastral, në dhjetëra raste qytetarët e Kosovës janë ndaluar e keqtrajtuar gjatë kalimit nëpër Serbi dhe mallrat e Kosovës asnjëherë nuk kanë mundur të lëvizin lirshëm në Serbi, ndërsa mallrat e Serbisë kanë hyrë në Kosovë pa respektuar ligjet e shtetit tonë.
Në planin ndërkombëtar, Serbia ka vazhduar po ashtu me agresivitet të shtuar të pengojë integrimin e Kosovës në institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë.
Rasti më i fundit ishte Interpoli.
Kjo, për rrjedhojë, solli vendosjen e taksës 100 % për produktet serbe.
Kjo masë ishte reagim për të treguar se bllokimi sjell bllokim të dyanshëm.
Kemi pritur reflektim balancues të BE-së për këtë situatë. Që ul tensionet dhe mohon politikat bllokuese për dy palët njësoj.
Nuk kemi pritur që BE të reagojë vetëm ndaj nesh.
Kjo mungesë balance e BE-së, te qytetarët e Kosovës, më të drejtë, ka krijuar përshtypjen e njëanshmërisë së BE-së.
Thirrjet e Serbisë për heqjen e taksës dhe përsëritja e tyre nga BE-ja, pa i bërë thirrje edhe Serbisë që të heqë dorë nga qasja e saj bllokuese, po i shqetësojnë me të drejtë qytetarët e Kosovës.
Ata kërkojnë që sovraniteti e dinjiteti i shtetit tonë të mbrohet e respektohet dhe institucionet tona shtetërore pikërisht këtë po e bëjnë.
Bllokimi i lëvizjes përpara në agjendën e Bashkimit Evropian përbën shqetësim serioz. Ai mund të ketë pasoja ndëshkuese për Kosovën, por në asnjë mënyrë nuk e ndihmon stabilitetin në Rajon dhe as vetë BE-në.
Izolimi i qytetarëve të Kosovës pa lëvizje të lirë vetëm sa e rëndon më shumë këtë situatë.
Argumentet e tipit se me krijimin e shtetit të Kosovës, Serbia ka humbur shumë, dhe tani është koha që edhe Kosova të humbë diçka, nuk janë racionale dhe nuk i shërbejnë as paqes, as pajtimit dhe as arritjes së marrëveshjes mes dy vendeve.
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Bashkimi Evropian nuk mundet që Kosovën ta shikojë nga perspektiva integruese e Serbisë.
Rruga e Kosovës për në Bruksel nuk kalon, as nuk ka për të kaluar përmes Beogradit.
Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe është e detyruar të jetojë me këtë fakt në shekujt që do të vijnë.
Nëse s’e kupton, ne do ta bëjmë që ta ndjejë shtetin e Kosovës çdo ditë e më shumë.
Ne presim nga BE që në Dialog të garantojë parimin e trajtimit të barabartë të palëve dhe përfitimet e dyanshme prej tij.
Ne presim nga BE që ta trajtojë seriozisht dhe në mënyrë të balancuar çështjen e bllokadave të dyanshme.
Kosova nuk do të veprojë njëanshëm në heqjen e taksës.
Taksa nuk është problemi i vetëm dhe as më i madhi.
Trajtimi i barabartë dhe reciprociteti janë rrugëzgjidhja.