Pas gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve, procesit të Vetingut do t’i nënshtrohen edhe të gjithë oficerët e policisë gjyqësore, të njohur ndryshe si njerëzit e hetimit. Drafti më i fundit i siguruar nga Shqiptarja.com për policinë gjyqësore, parashikon që brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit, oficerët e policisë gjyqësore të të gjitha seksioneve, verifikohen për pastërtinë e figurës. Pika 3 e nenit 40 të draftit thekson se autoriteti që do të verifikojë oficerët e policisë gjyqësore është Sektori për Verifikimin e Integritetit në Prokurorinë e Përgjithshme. Do të vazhdojnë detyrën vetëm ata oficerë, të cilët kalojnë filtrin e pastërtisë së figurës. Ndërkaq, oficerët e seksionit të policisë gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda, mbeten në detyrë deri në krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pas krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Komisioni i Policisë Gjyqësore bën shpërndarjen e tyre në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Advertisements
Varësia dhe funksioni
Policia gjyqësore do t’i ushtrojë funksionet e saj nën varësinë e prokurorit dhe drejtohet e kontrollohet prej tij. Gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, policia gjyqësore kryen të gjitha veprimet e urdhëruara nga gjykata ose prokurori. Policia gjyqësore zbaton gjithashtu urdhrat dhe udhëzimet e prokurorit për përcaktimin e çështjeve që duhen hetuar me përparësi, e veprimeve konkrete që duhen kryer, si dhe për kohëzgjatjen e nevojshme të hetimeve. Sa i takon, funksioneve policia gjyqësore, sipas draftit të ri, merr dijeni për veprat penale, me nismën e vet ose mbi kallëzim apo ankim, parandalon ose pengon pasojat e mëtejshme që rrjedhin nga vepra penale, kërkon autorët e veprave penale, kryen veprimet e nevojshme për të siguruar burimet e provës dhe për të grumbulluar gjithçka që i shërben zbatimit të ligjit penal, kryen çdo hetim dhe veprim të urdhëruar ose të deleguar nga organi procedues, kryen veprime procedurale për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore penale, kryen veprimet në zbatim të ligjit anti-mafia etj.
Advertisements
Komisioni i Policisë Gjyqësore
Për herë të parë, drafti parashikon ngritjen e Komisionit të Policisë Gjyqësore, i cili përbëhet nga 5 anëtarë, konkretisht një anëtar prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, një anëtar oficer i policisë gjyqësore i seksionit të Prokurorisë, një anëtar nga shërbimet e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit, një anëtar, drejtuesi i strukturës hetimore të shërbimeve të Policisë së Shtetit dhe një anëtar nga shërbimet e tjera të policisë gjyqësore të institucioneve shtetërore i cili caktohet me rrotacion, çdo 2 vjet, nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ose Drejtori i Përgjithshëm i Doganave.
Emërimi i oficerëve të policisë gjyqësore
Komisioni i Policisë Gjyqësore emëron, ngre në detyrë, transferon, komandon, oficerët e policisë gjyqësore të seksioneve, me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm. Gjithashtu komisioni përcakton numrin e përgjithshëm të oficerëve të policisë gjyqësore të seksioneve dhe shërbimeve, në bashkëpunim me Prokurorin e Përgjithshëm dhe ministrat përgjegjës të cilat kanë në varësi shërbimet të policisë gjyqësore. Komisioni shqyrton edhe kërkesat për procedim disiplinor ndaj oficerëve të policisë gjyqësore, vlerëson rezultatet e punës dhe integritetin profesional të oficerëve dhe agjenteve të policisë gjyqësore si dhe përcakton rregullat për organizimin e një trajnimi fillestar për hetimin.