Presidenti Ilir Meta ka folur për raportet me ish-kryetarin e PS-ë Fatos Nano, në emisionin “Opinion”.
Advertisements
Pjesë nga intervista
Advertisements
Gazetari Fevziu: Po raportet me Fatos Nanon, si i keni pasur? Raporti juaj ka qenë kur ai ishte kryetar i partisë, kur ju u bëtë nënkryetar, edhe pse në burg… Më pas ka pasur shumë ulje-ngritje. Si do ta përcaktonit sot?
Presidenti Meta: Raportet e mia me Nanon gjithmonë kanë qenë shumë të sinqerta nga ana ime. Unë kam pasur vlerësimet e mia shumë pozitive për të. Kam pasur kritikat e mia për të në aspektin që nuk kam qenë në një raport…
Fevziu: Por ju kështu më thatë edhe për Ramën, që i keni pasur të sinqerta? Për Berishën të sinqerta. Për Nanon të sinqerta? Po ndonjë njeriu a ua keni “futur”? Se në politikë gjithmonë ka…
Presidenti Meta: Unë nuk e kuptoj se çfarë do të thotë kjo?!
Fevziu: “Futur” në kuptimin politik të fjalës?
Presidenti Meta: Ajo që po theksoja është se kanë qenë shumë të sinqerta. Mund të kem pasur ato mendimet e mia të kundërta për shumë çështje. Këto ia kam shprehur hapur.
Fevziu: Si ishte Fatos Nano si personazh? Dhe si kryetar i Partisë Socialiste?
Presidenti Meta: Mendoj se ai ishte një politikan, i cili kishte vizion. Kur ishte i qetë mund të bënte analiza të shkëlqyera, të kapte thelbin e çështjeve, të problemeve.
Fevziu: Ishte inatçor?
Presidenti Meta: Po, edhe ishte, edhe s’ishte në kuptimin që…
Fevziu: Harronte shpejt?
Presidenti Meta: Ishte sa inatçor, aq edhe tolerant në kuptimin e reflektimit.
Fevziu: Kur i ktheheni sot mbrapa, në vitin 2004 nuk shihnit ndonjë zgjidhje tjetër veç largimit nga Partia Socialiste? Ju kishit qenë kryeministri, zëvendëskryeminstri i kësaj partie?
Presidenti Meta: Së pari, nuk mu la një alternativë tjetër dhe së dyti, unë jam shumë i lumtur që kam ndërmarrë një nismë të tillë, pavarësisht se ajo nuk ka qenë një gjë e lehtë dhe e thjeshtë, pasi përmes krijimit të LSI-së unë u dhashë shumë mundësi shumë njerëzve, shumë të rinjve që do ta kishin të pamundur që t’i kishin këto mundësi për të treguar aftësitë e tyre në jetën politike.
Fevziu: Ndërkohë sot, çfarë raportesh keni me Nanon? Komunikoni?
Presidenti Meta: Kur shihemi, përshëndetemi.
Fevziu: Pra, është një raport relativisht korrekt?
Presidenti Meta: Për mua është një raport korrekt.
***
Meta rrëfen raportet me Dritëro Agollin: Si ka ndikuar personaliteti i tij tek unë
Presidenti Meta i ftuar sot në emisionin “Opinion” ka rrëfyer raportet e tij me shkrimtarin e madh Dritëro Agolli, i cili sipas tij, ka patur një ndikim të madh në fillimet e karrierës së tij si politikan.
PJESË NGA INTERVISTA
BLENDI FEVZIU: Në moshën 22-vjeçare kur ju hytë në Partinë Socialiste që të gjithë ishin të rinj në politikë. Nuk është se kishin ndonjë karrierë të madhe, me përjashtim të dikujt që mund të kishte bërë një lloj karriere në Partinë e Punës, por edhe ajo nuk mund të quhej karrierë, sepse ishte një parti e vetme. Kush ka qenë nga më të moshuarit, por i quaj tani, që ka ndikuar më shumë në fillimet tuaja?
PRESIDENTI META: Mendoj se një ndikim të veçantë ka pasur Dritëro Agolli, për arsye se ishte një figurë shumë e madhe dhe unë duke qenë se isha edhe deputeti më i ri dhe rrija pranë tij…
BLENDI FEVZIU: Një figurë që ishte më e relaksuar për politikën se sa të tjerët?
PRESIDENTI META: Jo, jo! Ishte një figurë që kishte një filozofi krejt tjetër dhe ishte sa i mençur e i ditur, aq edhe “lojtar”, në kuptimin e përshtatjes me të gjitha palët, me situatat e reja. Kishte një pragmatizëm të paparë dhe thellësi mendimi, gjykimi. Në mandatin e parë 1992-1996 pothuajse të gjithë kohën rrinim bashkë, jo vetëm në Parlament, por edhe jashtë Parlamentit. Dilnim bashkë nëpër rrethe, kudo nëpër takime, në Sarandë, në Skrapar, në Korçë, në mbarë Shqipërinë, dhe me Dritëroin mësoje në çdo moment, edhe kur rrije në makinë. Mënyra se si bisedonte me njerëzit, se si këndonte, se si e ç’tensiononte situatën…
BLENDI FEVZIU: E kishte të mirë komunikimin?
PRESIDENTI META: Ai ishte brilant në të gjitha komunikimet. Domethënë edhe me gangsterin dinte si të sillej. Me intelektualë, me fshatarë, me ekstremistë politikë të njërit krah apo të tjetrit. Ishte një figurë jashtëzakonisht krijuese, ishte spontan, ishte i jashtëzakonshëm.
BLENDI FEVZIU: Pra ky ishte po e quajmë një nga personat që luajti një rol ndikimi në fillimet e juaja?
PRESIDENTI META: Po. Ka pasur një rol të veçantë për arsye sepse edhe emri i tij, plus që unë kur kam qenë i ri kam qenë shumë i dhënë edhe pas letërsisë dhe ai ka qenë një shkrimtar e një poet shumë i dashur për mua. Dhe shpesh unë i recitoja poezitë e tij. Ai kënaqej, por nga ana politike për mua ai ishte një shkollë e veçantë.
***
“Raportet me Ramën e Bashën”, Meta: Me Berishën është një kimi tjetër
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka sqaruar sot në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, raportet e tij me kryeministrin Rama, kreun e opozitës Basha si edhe me ish-kryeministrin Berisha. Nga të tre, ra në sy fakti se Meta ka veçuar marrëdhënien e tij me Berishën pasi siç edhe u shpreh: “Marrëdhëniet e mia me z. Berisha janë marrëdhënie të veçanta. Është një kimi tjetër”, – ka deklaruar Meta.
PJESË NGA INTERVISTA
BLENDI FEVZIU: Personalisht a keni pasur ndonjëherë raporte me Ramën? A keni biseduar ndonjëherë jo si Kryeministri me ministrin apo me Kryetarin e Bashkisë, jo si dy kryetarë partie, jo si Kryeministri me Presidentin apo me Kryetarin e Kuvendit?
PRESIDENTI META: Kjo është diçka e parëndësishme. Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira, kemi pasur edhe marrëdhënie problematike. Në detyrën që jam, për mua historitë e së kaluarës dhe raportet personale me asnjë nuk vlejnë. Për mua vlen sjellja institucionale, qëllimi i përbashkët për të cilin duhet bashkëpunuar.
BLENDI FEVZIU: Dhe ndërkohë e keni të vështirë të vendosni raporte personale me të apo refuzoni ta bëni këtë gjë?
PRESIDENTI META: Nuk është ky prioriteti. Prioriteti im në raport me të gjithë në këtë detyrë është bashkëpunimi institucional.
BLENDI FEVZIU: Iu pyeta jashtë detyrës, më shumë si një raport. Vë re për shembull që pak ditë më parë ka qëndruar për një orë e gjysmë në një takim me ju. Nuk besoj që për një orë e gjysmë është folur për çështjen e Lleshit?
PRESIDENTI META: Çfarëdolloj çështje që të diskutohet nuk ka rëndësi. Kjo nuk i intereson askujt se çfarë pimë ne, kafe apo kakao në kuptimin personal, apo se çfarë shakaje bëmë.
BLENDI FEVZIU: Po marrëdhëniet me z. Basha si janë?
PRESIDENTI META: Raporte normale, institucionale.
BLENDI FEVZIU: Nuk ka raporte të tjera përtej këtyre?
PRESIDENTI META: Nuk ka ndonjë raport të veçantë.
BLENDI FEVZIU: Po me z. Berisha?
PRESIDENTI META: Këtu ka një dallim. Kuptohet që marrëdhëniet e mia me z. Berisha janë marrëdhënie të veçanta.
BLENDI FEVZIU: Kur ka lindur kjo “dashuri” e juaja për Berishën, z. Meta? Ju keni qenë kundërshtar politik për një periudhë të gjatë kohe, nga viti 1992 të paktën deri në vitin 2009, kur u bashkuat në një koalicion me të
PRESIDENTI META: Të gjitha në kompleksin e tyre kanë krijuar një marrëdhënie të veçantë. Është një kimi tjetër.
***
A ndikuat që zonja Kryemadhi të bëhej kryetare e LSI-së? Kësaj pyetjeje i është përgjigjur Presidenti Meta në intervistën në emisionin “Opinion”.
“Nuk besoj se ka qenë e nevojshme që unë të ndikoj për një gjë të tillë. Përkundrazi ashtu siç kam bindjen që nuk ka qenë një pozitë që edhe Monika vetë e ka kërkuar apo që e ka planifikuar”, tha kreu i shtetit.
Pjesë nga intervista
Gazetari Blendi Fevziu: A ishit ju dakord që zonja Kryemadhi të bëhej kryetare e LSI-së ose a ndikuat ju që të bëhej kryetare e LSI-së?
Presidenti Meta: Nuk besoj se ka qenë e nevojshme që unë të ndikoj për një gjë të tillë. Përkundrazi ashtu siç kam bindjen që nuk ka qenë një pozitë që edhe Monika vetë e ka kërkuar apo që e ka planifikuar.
Fevziu: Po si, ia bën dhuratë? Sepse ajo kandidoi për kryetare.
Meta: Nuk besoj se në politikë bëhen dhurata të tilla, aq më tepër dhuratë për të qenë kryetar i një partie në opozitë.
Fevziu: Megjithatë për shumicën e vendimeve a është dakord me ju? Qëllon që ju konteston? Flasim për pjesën private.
Meta: Monika, në qoftë se nuk konteston nuk është më Monika, kështu që frymën kontestuese edhe rebeluese e ka pjesë të karakterit të vet që nga koha që unë e kam njohur.
Fevziu: Ka njerëz që mendojnë se ju jeni një lloj prapavije pak më e kamufluar e LSI-së apo edhe opozitës në raport me mazhorancën. Pra, që do të thotë mbani postin e Presidentit, detyroheni të respektoni detyrimet kushtetuese të Presidentit, por në thelb jeni një njeri që vazhdoni të drejtoni Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Meta: Mendoj që kjo është thjesht një përrallë, për arsye sepse kjo është jashtë dëshirës dhe vullnetit tim së pari dhe së dyti është jashtë çdo mundësie.
Fevziu: Pse është jashtë dëshirës suaj?
Meta: Sepse nuk kam asnjë dëshirë që unë të vazhdoj të drejtoj një forcë politike, në kundërshtim me vullnetin tim për të përmbushur plotësisht detyrën që unë kam pranuar si Presidenti i Republikës. Dhe së dyti, unë kam bërë gjithçka për Lëvizjen Socialiste për Integrim, nga dita e projektimit, e themelimit edhe deri në ditën e largimit zyrtar përfundimtar nga kjo forcë politike.